Më shumë se 93 trupa paqeruajtëse të KFOR-it, kanë mbetur të lënduar nga tensionet në veri të Kosovës në fund të majit të këtij viti, ka bërë të ditur shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim që pati me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel të mërkurën.
Stoltenberg theksoi rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të parandalohet agravimi i situatës në veri.
“Takim i mirë me presidentin Vuçiç për të diskutuar dhunën e fundit në veri të Kosovës, e cila la 93 trupa të KFOR-it të lënduar. NATO ka dislokuar trupa shtesë dhe zbaton mandatin e OKB-së në mënyrë të paanshme. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Stoltenberg në Tëitter.
Për herë të parë, Stoltenberg bëri me dije se numri i ushtarëve të KFOR-it në veri është trefishuar.
Situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.