Tensionet në veri të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes: Policia bëri punën, kryetarët e rinj do fillonin detyrën, s’është provokim! S’cenohen raportet me SHBA

30 Maj 2023, 21:09| Përditesimi: 31 Maj 2023, 08:40

  • Share

KOSOVË- Tensionet në veri të Kosovës vijojnë për të dytën ditë radhazi. Në një intervistë për Report TV, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, partisë në pushtet në Kosovë, foli për situatën e krijuar dhe marrëdhëniet me SHBA. Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live me gazetarin Arbër Hitaj, deputeti Adnan Rustemi tha se Policia e Kosovës bëri punën e duke ndihmuar kryetarët e rinj që u zgjodhën në komunat serbe për të kryer detyrën. Ai thotë se Kosova s’ka bërë asnjë provokim, por çdo lëvizje e policisë së saj ka qenë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

“Kosova s’ka bërë asnjë provokim. Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, ka bërë asnjë veprim drejtuar kom serb. Thjesht policia e Kosovës, pas mbajtjes së zgjedhjeve ka asistuar kryetarët e zgjedhur për të filluar punën, për shkak se këto objekte ishin të blinduara nga grupe huliganësh, kriminale që operojnë në pjesën veriore të Kosovës. Qeveria e Kosovës s’ka bërë asgjë të pazakontë, thjesht ka zbatuar ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe kushtetutën e Kosovës.

Katër kryetarët e komunave, ishte normale që pas zgjedhjes do paraqiteshin në objektet e komunave për të filluar punën. Këto zgjedhje ishin të pranuara edhe ndërkombëtarisht, ishin paralajmëruar që më parë se do pranohen. QUINT kishte shprehur zhgënjimin për mospjesëmarrjen elitës serbe. Kur nuk merr pjesë, ndërkohë që zgjedhjet mbahen në përputhje me kushtetutën pranohen edhe nga autoritet ndërkombëtare. Është më se normale që kryetarët të paraqiten në zyra për të përmbushur detyrimet”, tha ai.

I pyetur nëse kjo situatë e krijuar në veri të Kosovës cenon marrëdhëniet me SHBA, Rustemi tha se Kosova raportin strategjik me Amerikën dhe Perëndimin e ka të padiskutuar.

"Kosova në raportin strategjik me SHBA dhe perëndimin e ka të padiskutuar, Kosova është vendi që e ka të qartë orientimin e saj. Është një nga vendet e para që i ka vënë sanksione Rusisë, ka dhënë kontributin duke strehuar refugjatët e Ukrainës, është në linjë të drejtpërdrejtë me politikën e jashtme të SHBA dhe Perëndimit. Vendi fqinj verior është vendi i fundit në Europë  që s’ka marrë sanksione ndaj Rusisë, vazhdon të koordinojë politikën e jashtme me Rusinë, vazhdon armatoset nga Kina dhe Rusia. Veprimet e qeverisë së Kosovës s’kanë të bëjnë me orientimin politik, e kemi të padiskutueshëm lidhjen dhe raportin e ngushtë me perëndimin dhe veçmas me SHBA", tha ai.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?