Persona të maskuar në veri të Kosovës plagosin një polic! Osmani: Vepër kriminale e Beogradit! Brnabiç: Do rikthejmë trupat serbe

9 Dhjetor 2022, 07:25| Përditesimi: 10 Dhjetor 2022, 08:55

  • Share

KOSOVË- Plagosja e një efektivi policie në veri të Kosovës, ka shtuar tensionet me Prishtinës dhe Beogradit. Ngjarja që ndodhi pak para mesnate detyroi qeverinë të shtojë praninë e forcave të rendit në veri, ndërsa Serbia kërcënon me dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë.

Nga ana tjetër, vendet e QUINT-it që janë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia i kërkuan qeverisë së Kosovës të shtyjë datën e mbajtjes së zgjedhjeve në 4 komunat me shumicë serbe Pavarësisht kësaj në mbledhjen e zhvilluar nga KQZ e Kosovës, nuk u rekomandua shtyrje e datës së zgjedhjeve të caktuara për t'u mbajtur në 18 dhjetor. 

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se "Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.

Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë gri, me targa KM. Duke raportuar nga vendi i ngjarjes, persona të maskuar kanë sulmuar edhe gazetarë të medias së Kosovës. Nga sulmi nuk janë raportuar të lënduar.  Ngjarja ndodhi gjatë natës në Mitrovicë, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, e cila së fundmi ka rënë pre e disa shpërthimeve me bomba të një pas njëshme.

Pas sulmit, ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës e cila bëri përgjegjës regjimin serb. Në Twitter, shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës shkruan se është kërcënim i hapur i regjimit serb. Ky sulm ndaj policit vjen fill pas shpërthimeve për gati dy ditë resht në veri të Kosovës. Ditën e parë pati 6 shpërthime, 2 në Zubin Potok dhe 4 në Mitrovicë. Ditën e dytë pati një shpërthim me granatë dore në Mitrovicë. Shpërthimet vijnë si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme të cilat do mbahen në veri, konkretisht më 18 dhjetor. Edhe pse SHBA pati rezerva, dje KQZ e Kosovës certifikoi listën përfundimtare të votuesve.

Ora 21:49
Haradinaj viziton në spital efektivin e plagosur në veri të Kosovës: Kushdo që përballet me policinë, të japë llogari para drejtësisë

Kreu i Aleancës për Akmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar në spital policin e plagosur në veri të Kosovës, Ekrem Nezirin. Ai tha se kushdo që përballej me policinë e Kosovës do të jepte llogari para drejtësisë.

“Falënderues ndaj gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shërbimin ndaj Atdheut, në këtë situatë të brishtë në veri të vendit. Policit të plagosur, Ekrem Neziri, i urova shërim të shpejtë. Falënderoj të gjithë ekipin mjekësor në QKUK për kujdesin ndaj tij. Kushdo që përballet me Policinë e Kosovës, të japë llogari para Drejtësisë!”, shkroi Haradinaj.

Ora 20:17
Pavarësisht tensioneve në veri të Kosovës, KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme që të mos ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arjanit Elshani. Ai tha për mediat e Kosovës se u mor vendimi që KQZ të mos rekomandonte shtyrjen e zgjedhjeve.

"U vendos që KQZ-ja nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve", tha Elshani.

Sot nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se janë në pritej të raportit të KQZ.

Ora 19:10
Pro mbajtjes së zgjedhjeve në veri edhe pas tensioneve, ambasdori amerikan në Kosovë takohet me Kurtin

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka shkuar në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Gjatë dy ditëve të fundit, ambasadori amerikan është takuar edhe me krerët e opozitës. Ende nuk bëhet me dije arsyeja e kësaj vizite, por besohet se po diskutohet lidhur me tensionet në veri që janë përshkallëzuar mbrëmjen e djeshme. 

Ambasadori amerikan ditë më parë ka thënë se nuk ka kushte që të mbahen zgjedhjet në veri. 
 

Ora 17:16
Kryeministrja serbe: Kurti po na çon prag të konfliktit, do të kërkojmë rikthimin e trupave tona në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë. Gjatë një konference për mediat nga aeroporti “Nikolla Telsa” në Beograd, Bërnabiç tha se veprimet e homologut të saj, Albin Kurti i kishin sjellë dy vendet në prag të një konflikti. 

“Në këto rrethana, Serbia ka të drejtën dhe synimin, sipas rezolutës 1244, të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë”, theksoi Bërnabiç.

Bërnabiç u bëri thirrje shteteve në botë që të respektojnë këtë të drejtë, që sipas saj buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shkruan REL. 

Çfarë përmban Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i ankeksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Ora 16:15
Kurti viziton policin që u plagos në veri të Kosovës: Me zyrtarë të tillë mbahet në këmbë shteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vitizuar efektivin e policisë së Kosovës, Ekrem Neziri i cili u plagos mbrëmë në veri të vendit pas të shtënave me armë.

Ai tha se me zyrtarë të tillë mbahej në këmbë shteti ndërsa tha se do të ndiqeshin dhe dënoheshin personat përgjegjës.

 “Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen”, shkruan Kurti.

Ora 13:24
Plagosja e policit në veri, Vjosa Osmani: Vepër kriminale nga Serbia! Në territorin e Kosovës s’do ketë më kurrë ushtarë dhe policë serb

1670345428_13.jpg

Plagosja e efektivit në veri të Kosovës është një vepër kriminale e Serbisë. Kështu shprehet në një reagim në Facebook, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila shkruan se autorët e këtij krimi të rëndë duhet të sillen përpara drejtësisë. Osmani më tej shkruan se në asnjë mënyrë nuk do të ketë më polic dhe ushtri serb në territorin e Kosovës.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999.

Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe  kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.

Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”- shkroi Vjosa Osmani.

Ora 12:26
Tensionet në veri të Kosovës, Kurti: Zgjedhjet do jenë vendim i institucioneve tona! Serbia do të ‘fitojë’ territor, por s'do ja arrijë

1670585306_dddh.jpg

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti u shpreh se në qendër të ‘vëmendjes’ së fundmi nuk është njohja e pavarësisë së Kosovës por mëshimi i zbatimit të 33 pikave të Asosacionit. Por, sipas Kurtit ka një dyzim të qasjes së  Serbisë në kuadrin e dialogut ku sipas tij, nëse Serbia do e dëshironte kaq shumë zbatimin e Asosacionit gjëja e parë që do të bënte do të ishte njohja e Kosovës. Sipas tij logjika e Serbisë është të bëjë një ndarje mes serbve dhe Shqipërisë në Kosovë, pra të fitojë territor. 

“Ka një zhvendosje tektonike të qasjes në Dialog. Nuk është më njohja e Kosovës në qendër të vëmendjes. Prandaj në një kohë kur jemi në një kohë bisedime është e papranueshme që të shkëputemi nga 33 pikat e marrëveshjes së Asosiacionit.

“Vazhdimisht jemi në konsulta dhe koordinim me ndërkombëtaret. Por ju duhet ta kuptoni se edhe ata presin që në të jemi në nivel të detyrës. Janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por ata nuk bëhet dot ministra. Ministrat janë qytetarë të këtij vendit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, bashkëpunimi më partnerët nuk mund të jetë në nivelin, duke i trajtuar ambasadorët si ministra.

"Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarët nuk mund të jetë në mënyrën që ne t’i trajtojmë ata si ministra e ne të bëhemi zëvendësit e tyre sepse as ata nuk e duan këtë gjë. Jemi në një fazë të ndjeshme por edhe progresive në kuptimin demokratik e civilizues të falës”, ka deklaruar ai.

Për gjendjen në veri, ai ka fajësuar Serbinë. Sipas tij, shteti serb po mundohet t`i ndajë qytetarët e Kosovës në shqiptarë dhe serbë.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se në Kosovë nuk ka probleme etnike. Kryeministri Kurti ka thënë se çdo ditë shqiptarët dhe serbët në Kosovë takohen dhe bashkëpunojnë.

Sipas tij, logjika e Serisë ndaj Kosovës është territoriale.

Sa i përket mbajtjes se zgjedhjeve në veri, ai ka thënë se ky do të jetë vendim i institucioneve të Kosovës.

Ora 12:24
E bërë ‘shoshë’ nga plumbat, ja fotot e makinës së sulmuar në veri të Kosovës, ku mbeti një polic i plagosur

Një zyrtar i Policisë së Kosovës i rreth të 40-tave ka mbetur i plagosur mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës pas një sulmi të armatosur. Sulmi i veturës së policisë së Kosovës nga i cili pësoi pjesëtari ka ndodhur rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit. E Nacionale ka siguruar ekskluzivisht pamje të veturës së Policisë e cila ishte cak i sulmit.

Në veturat e policisë vrima të cilat janë bërë nga sulmi që iu bë veturës së Policisë mbrëmë nga persona të armatosur. Sipas Policisë sulmi ka ndodhur nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.

Polici i plagosur, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. E të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.

Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet tranferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.

"Mbrëmë ka ardhë polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në kraharor- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë për intervenim. Përndryshe gjendja e tij është e mirë- stabile"- i tha Nacionales drejtoresha e spitalit.

Tutje edhe mjeku i QKUK-së ka konfirmuar se polici është futur në sallën e operacionit. Polici është hospitalizuar në QKUK- saktësisht në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Drejtori i kësaj klinikë Nazmi Kolgeci i konfirmoi Nacionales për procesin e intervenimit. “Po veç jemi duke hy në sallë me të për operim. Për 2-3 minuta hyjmë në sallë", tha Kolgeci. / Nacionale

Ora 12:01
Kurti: Policia e Kosovës nuk është e orientuar kundër serbëve

1670158966_AlbinKurtiKryeminister600x3601.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se organet e sigurisë nuk e përndjekin askënd në baza etnike, fetare, por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale ose grupore.

“Policia e Kosovës nuk është kurrë e drejtuar, e nxitur, e orientuar kundër serbëve. Përkundrazi, ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve të ndryshme, të cilat mund të bëhen nga fqinji ynë verior”, ka thënë ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, Kurti ka thënë se pavarësisht “konsideratës shtesë”, Kosova ka përgjegjësi që dalin nga kushtetuta dhe ligji.

“Unë kurrë nuk i barazoj serbët, pavarësisht se çfarë bëjnë e thonë. Beogradi zyrtar e ka kuptuar që nuk po mund t’i ndajë shqiptarët dhe serbët në shpjegimin e situatës në Kosovë. Përditë, serbë dhe shqiptarë takohen në Kosovë".

Ai ka thënë se është duke u konsultuar vazhdimisht me faktorin ndërkombëtar.

“Por ju duhet ta kuptoni se ata presin që ne të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorët e QUINT-it, por ata nuk bëhen dot ministra. Ministra janë qytetarët e këtij vendi, aktualisht në Qeverinë tonë. Qeveritë vijnë e shkojnë, por shteti mbetet”.

Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

Ora 10:48
Ambasadori gjerman në Kosovë kërkon shtyrjen e datës së zgjedhjeve të 18 dhjetorit

Gjermania është kundër datës së caktuar për zgjedhjet në pjesën veriore të Mitrovicës. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rodhe mbështet atë që kanë thënë SHBA pak ditë më parë, që zgjedhjet të shyhen në një datë të dytë. Ai thotë se situata e agravuar në veri të Kosovës e bën të pamundur procesin e zgjedhjeve, pasi nuk do ketë siguri në vend.

 “Pajtohem me kolegun tim nga ShBA-ja se zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata e tanishme nuk është e favorshme për t'i mbajtur ato tani”- ka shkruar Rohde në Tëitter.

Këto ditë ka pasur sulme të njëpasnjëshme në veri të Kosovës ndaj forcave të policise e deri në rastin më të fundit ku janë sulmuar gazetarët. Mbrëmjen e së enjtes, një zyrtar i Policisë së Kosovës është plagosur gjatë një sulmi ta armatosur në veriun e Kosovës. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Gjendja e tij shëndetësore është stabël dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet transferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.

Të gjitha incidentet e ndodhura ditë e fundit, pra në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 dhjetor. Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e kundërshton mbajtjen e tyre.

Ora 10:43
Plagosja e policit në Mitrovicë, BE e shqetësuar për situatën shumë serioze në veri të Kosovës

1670579140_eukommissionen.jpg

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka thënë se i konsideron këto tensione si rezultat të veprimeve nga të dyja anët.

“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

“(Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit) EULEX tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në prononcimet tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e zbrazët që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”.

Sipas këtij burimi, EULEX-i është duke bashkëpunuar në terren edhe me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ora 10:41
Tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç takohet me ministrin e Mbrojtjes dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm

1670575736_cccj.JPG

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi mëngjesin e së premtes se është takuar me ministrin e tij të Brendshëm dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe.

Ai nuk dha ndonjë detaj se për çfarë u diskutua.

“Gjatë natës dhe mëngjesit me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Millan Mojsilloviq... Nuk ka dorëzim”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Ora 10:11
Serbia kërcënon Kosovën: Shqyrtojmë dërgimin e 1000 forcave të sigurisë në Veri

Petar Petkoviç, shef i zyrës  për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar dje se shteti i tij do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave  të sigurisë në Kosovë.

Serbia vazhdon me kërcënime dhe shantazhe ndaj Kosovës dhe sigurisë në rajon. Kërcënimet kanë qenë kryesisht me deklarata politike e duke lobuar kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, por që nga dje Serbia ka kërcënuar edhe ushtarakisht.

Madje, ai ka deklaruar se veprimi do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, duke përmendur nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2. Petkoviç,  i ka bërë këto komentet në kohën kur në pjesën veriore të vendit janë shtuar sulmet e grupeve kriminale ndaj institucioneve të Kosovës, si KQZ, Policia e Kosovës etj.

Ai ka deklaruar se dje rreth 300-350 forca policore janë futur në veri.

“Sipas njohurive tona, 300-350 policë të Kosovës me armë të gjatë dhe automjete të blinduara “pushtuan” veriun e Kosovës dhe bllokuan Mitrovicën e Kosovës. Arsyeja e inkursionit të policisë në veri të Kosovës është gjoja se shqiptarët që jetojnë aty kanë frikë nga çdo gjë që po ndodh. Po ashtu ju kujtoj se dy ditë më parë ka pasur një përballje mes Kurtit dhe qytetarëve të veriut për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa në orët e vonshme të së premtes një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri në Zveçan. Si pasojë e incidentit, një polic është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.

 

Ora 09:59
‘U qëllua me plumb në kraharor’, mjekja zbulon detajet për gjendjen shëndetësore të policit të plagosur në veri të Kosovës

1670576450_Policia.jpg

Të enjten mbrëma një zyrtar i Policisë së Kosovës është plagosur gjatë një sulmi ta armatosur në veriun e Kosovës. Sipas policisë sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici menjëherë me ekipet emergjente është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.

Sipas mjekes e cila është kontaktuar nga media kosovare, Nacionale gjendja e efektivit është stabël dhe ndodhet jashtë rreziku për jetë. Ai është goditur me një plumb në kraharor dhe e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici është transferuar nga spitali i përgjithshëm i Mitrovicës në klinikën e Kosovës (QKUK).

"Mbrëmë ka ardhë polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në krahëror- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë për intervenim. Përndryshe gjendja e tij është e mirë- stabile", i tha Nacionales drejtoresha e Spitalit.

Kujtojmë se Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë gri, me targa KM.

Ora 08:48
Tensionet në veri të Kosovës, persona të maskuar sulmojnë dy gazetarë në Mitrovicën e Veriut (VIDEO)

 

Dy gazetarë kosovarë janë sulmuar në Veri, nga persona të maskuar.

Sipas raportimit medias kosovare Kallxo,  dy gazetarë të këtij mediumi janë sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollë teknike në Mitrovicën e Veriut.

Makina me të cilën po udhëtonin, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj janë sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut. Në raportim thuhet se vetura e këtij mediumi ku ishin brenda dy gazetarët, është sulmuar nga grupi i personave të maskuar.

Gjithashtu në drejtim të makinës janë hedhur mjete të forta dhe është goditur nga këta persona. Megjithatë gazetarët kanë arritur që të shpëtojnë pa lëndime fizike nga ky sulm.

Nga mbrëmë Mitrovica e Veriut është në tensione pas vendosjes së pjesëtarëve të policisë në këtë zonë.

Mbrëmë rreth orës 23:00 në vendbanimin Serbovc në komunën e Zveçanit patrulla e policisë është sulmuar me armë zjarri.

Ora 07:46
Plagosja e efektivit në veri të Kosovës, Presidenca: Regjimi në Serbi po kalon nga veprimet e fshehta në të dhunshme

1670568437_F.jpg

Blerim Vela, shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës, po deklaron se regjimi serb ka kaluar nga veprimet e fshehta në struktruave ilegale, në kërcënime të hapura për kryerjen e agresionit ndaj Kosovës.

“Regjimi në Serbi po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të veta ilegale në Kosovë, në kërcënim të hapur për përdorim të forcave policore e ushtarake për të kryer agresion ndaj Kosovës", ka shkruar Vela.

"Sipas parimeve të Rusisë, ky është kërcënim flagrant për ta rrezikuar paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë”, ka shkruar ai në Twitter të enjten mbrëma.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Svsh: 09/12/2022 18:32

    Cfare vepre kriminale o znj. Presidente? Kjo eshte veper e paster terroriste dhe prove e qarte e terrorizmit shteteror skizofrenik serb!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?