I dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e të enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.
Pas takimit, Lajçak tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.
Ndërsa, Escboar tha pas takimit se SHBA-të i kanë parasysh shqetësimet e kryetarëve të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe krerëve të Listës Serbe në kohën kur 1 shtatori, dita e rifillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat dhe kartat e identitetit po afron.
Në vizitën e tyre të mëparshme në Kosovë, Escobar dhe Lajçak janë takuar me krerët e shtetit dhe të opozitës për zgjidhjen e krizës që lidhet me reciprocitetin e targave. Escobar pas takimeve ka theksuar se janë të angazhuar për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi në Kosovë më 1 shtator.
Escobar tha se janë siguruar nga Kosova dhe Serbia se nuk do të ketë dhunë më 1 shtator, që është dita kur hyjnë në fuqi dy vendimet qeveritare për targat dhe reciprocitetin në dokumente. Edhe Lajçak është shprehur se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Lajçak tha se ka pasur takime “të mira” me krerët institucionalë në Kosovë, mirëpo procesi do të vazhdojë për të shmangur “çfarëdo tensioni më 1 shtator”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën në një konferencë për mediat se targat KS nuk do të kthehen. Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhet të riregjistrohen në RKS - Republika e Kosovës. Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë kur hyjnë në Kosovë.
Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kurti dhe Vuçiç u takuan më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve për të gjetur një zgjidhje për targat dhe dokumentete, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.
SHBA-të i kanë parasysh shqetësimet e kryetarëve të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe krerëve të Listës Serbe në kohën kur 1 shtatori, dita e rifillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat dhe kartat e identitetit po afron.
Kështu u shpreh i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas përfundimit të takimit që ai pati me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Veri të vendit.
“Unë vetëm dua të them se ne e kemi parasysh shqetësimet e përfaqësuesve të serbëve. Tash do të vazhdojmë për në Beograd, shpresojë se do të jemi në gjendje të bëjmë një njoftim për media në Beograd më vonë sot”, tha Escobar.