Kryeministri Boris Johnson urdhëroi dislokimin e dy anijeve luftarake të Marinës Mbretërore pranë ishullit të Jersey si masë paraprake pas tensionimit të situatës me Francën për shkak të të drejtave të peshkimit.
Masa erdhi në një kohë që një anije detare Franceze po shkon drejt ishullit, ndërsa peshkatarët protestojnë për të drejtat e tyre pas Brexit. Peshkatarët francezë deklarojnë se të drejtat e tyre kufizohen padrejtësisht nga licencat e lëshuara nga ishulli nën një sistem të ri.
Anijet të armatosura deri në dhëmbë, do të patrullojnë kanalin pasi Parisi zyrtar kërcënoi një ditë më parë se do të ndërpresë energjinë në ishullin në varësi të kurorës britanike, i cili furnizohet me një kabull nënujor.
Mësohet se vendimi i Johnson për të dislokuar anijet erdhi pasi shërbimet inteligjente mësuan se një flotë prej 60 anijesh peshkimi po përgatitej të bllokonte të gjithë aksesin në portin e Saint Helier.
Një ditë më parë, ministrja Annick Girardin akuzoi autoritetet në Jersey se po krijonin pengesa për pajisjen me leje peshkimi për varkat franceze. Ajo u shpreh se Franca ishte e gatshme të kundërpërgjigjej ndaj këtyre zvarritjeve duke kërcënuar me ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas marrëveshjes tregtare pas Brexit, Jersey duhet të lejojë anijet evropiane në ujërat e saj, por ata kanë nevojë për licenca por peshkatarët thonë se lejet kanë ardhur me një listë të gjatë kufizimesh.