Tentativa për arratisje nga burgu 313 në Tiranë e dy të dënuarve Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, mund të ketë pasur ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga shefat e policisë brenda burgut. Këto dyshime hetuesve u kanë lindur pas disa shkeljeve të bëra nga efektivët e policisë së burgjeve. Hetimet kanë nxjerrë në pah disa shkelje, ndërsa pritet të kuptohet nëse për këto ka pasur urdhra nga lart të zyrtarëve të burgut. Sipas Top Channel, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar 6 efektivë për dyshimet e shpërdorimit të detyrës, pasi ata nuk kanë qenë në vendin e tyre të punës gjatë tentativës për arratisjen e dy të dënuarve.
Oficerët janë të ndaluar të dalin nga regjimi për të shoqëruar Lulzim Cepele, i cili preu damarët, por nuk u dërgua në spital dhe plaga nuk u konsiderua si e rrezikshme për jetën. Pavarësisht këtij rezultati, oficerët e regjimit të brendshëm janë urdhëruar që ta çojnë në spitalin e burgut. Rregullorja është e qartë që oficerët e regjimit të brendshëm e kanë kategorikisht të ndaluar që të dalin nga ky regjim. Sa herë ka ngjarje të tilla, duhet të vijnë oficerët e DAP. Kjo ka shënuar edhe shkeljen e parë të efektivëve të policisë së burgut duke braktisur detyrën, me pretekstin se kjo ngjarje shpërqendroi gjithë stafin. Për hetuesit ky argumentim është e vështirë për t’u provuar dhe për t’u pranuar.
Gjithashtu edhe oficeri në portën kryesore të 313 rezulton se nuk ka qenë i armatosur duke shënuar shkeljen e radhës, ndërsa efektivët e policisë me shërbim në tarracën ku kryhet ajrosja për monitorimin e të burgosurve nuk kanë pasur radio komunikimi dhe kjo ka vonuar edhe lajmërimin e kolegëve të tyre se po ndodhte një arratisjes nga dy të burgosurit. Oficeri që monitoron dhe vëzhgon lëvizjet e të burgosurve mungonte edhe në pjesën perëndimore të burgut në një kolonat kryesore. Pra Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri mund të lëviznin të qetë pasi askush nuk i monitoronte. Kjo i lë hetuesit të mendojnë se 2 të dënuarit kanë patur bashkëpunëtorë ndoshta shefa të policisë së burgut që mund të kenë shkelur kushtet e sigurisë duke favorizuar arratisjen e tyre, edhe pse gjithçka ngeli në tentativë dhe ata u arrestuan.
Pikëpyetjet për hetuesit mbetet dhe fakti se kush e kishte larguar më herët një zagarë hekuri që gjendej mes ambienteve të ajrimit. Por neglizhenca kryesore lidhet me mos kontrollin e çantës që mbante Fatmir Pjetri ku ishin fshehur litarët, ashtu si edhe mos kontrolli fizik i asnjërit prej të burgosurve.
Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele dolën para dy ditësh para gjykatës së Tiranës, e cila konfirmoi izolimin për 90 ditë pas tentativës së dështuar të arratisjes. Hetimet e prokurorisë janë zgjeruar edhe për 3 të paraburgosur të tjerë nën hetim me dyshimet se kanë pasur dijeni për planin e arratisjes së Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit. Konkretisht, nën hetim nga Prokuroria për "Moskallëzim krimi", janë Dritan Sinani, Elvis Fajzullahu dhe Bekim Bulica.
Po ashtu nën hetim janë vënë edhe 6 punonjës të policisë së burgjeve për 'shpërdorim detyre'. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se me veprimin dhe mos veprimin nga ana e punonjësve të policisë Gëzim Rramushi, Sajmir Shahini, Bashkim Muça, Oldi Myzyri, Radion Maloku, Edmond Prenga, janë konstatuara elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, pasi ata nuk kanë ushtruar kontroll fizik dhe të mjeteve apo pajisje që i paraburgosuri Fatmir Pjetri kishte me vete. Konkretisht ai kishte çantën e kuqe, ku ndodhej litari dhe sendet e forta, atë të hekurit në itinerarin e ndjekur prej tij nga dhoma e tij deri në vendin që ka kërcyer nga taraca.
Gjatë seancës vetë Arbër Çekaj ka mohuar planin e arratisjes, duke u shprehur se ka dalë jashtë vetëm për ajrosje, ndërsa akuzon Fatmir Pjetrin si organizator të arratisjes. Ndërsa Lulzim Çepele ka thënë para gjykatës se nuk ia kishte idenë se ç'po ndodhte me arratisjen dhe se ai ka tentuar vetëvrasjen për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Kujtojmë se Arbër Çekaj është dënuar më parë me 14 vite burg, pasi në kontejnerin me banane që kishte porositur u gjet 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Kurse Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal 'Babagjyshët' të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.
po mesusi fillores me grade Drejtues fëmija dhe dredharaku tepelenas kamber pelivani cfare përgjegjësie kane per ngjarjen apo fshihen pas mustaqeve te drejtorit
PërgjigjuBejeni shef ate qyqarin qe hengri leven ne koke..
Përgjigju