Tentativa për të eleminuar me 'aksident ajrorë' disa nga drejtuesit më të lartë të shtetit në vitin 1925

22 Tetor 2023, 10:23| Përditesimi: 22 Tetor 2023, 10:27

  • Share

Një nga tentativat më të sofistikuara për të eleminuar disa nga politikanët dhe drejtuesit më të lartë të shtetit është realizuar në vitin 1925. Sipas një shkrese urgjente që ministri i Punëve Botore, Kostaq Kota, i drejtonte Ministrisë së Brendshme më 31 maj 1925 informonte se Shoqëria Aeroplanëve “Adria Aero Llojd” e kishte njoftuar se në aerodromin e Korçës kishte ndodhur një incident, i cili mund të kishte pasoja të paparishikueshme. 

Në një moment kur piloti i linjës Korçë-Tiranë sapo ishte largur nga aeroplani, një person i panjohur kishte ngatërruar në timonin e tij një “rryp gome automobili”. Në relacion nënvizohej se “po mos ta kishte vrejtë përpara piloti avionin dhe të mos i kishin shkue sytë te ajo gomë e vueme me mjeshtëri, dhe si duket me kast, aeroplani megjithë pasagjerët do të ishte rrëzue patjetër”.

Po cilët ishin politikanët e njohur që po udhëtonin drejt Tiranës me këtë avion?

Ata ishin ish-kryeministri dhe deputeti Pandeli Evangjeli, i cili në zgjedhjet e 2 marsit 1925 ishte zgjedhur Kryetar i Senatit; ish-kryetari i Parlamentit, ish-ministri dhe deputeti i Korçës Eshref Frashëri; si dhe deputeti Kostaq Kosturi. Dy personalitetet e para kishin mbajtur dhe do të mbajnë deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia funksione të larta shtetërore.

Ministri i Punëve Botore, Kostaq Kota, kritikonte prefekturën e Korçës, e cila sipas tij nuk kujdesej aspak për shesh fluturimin dhe aeroplanët që bënin linjën Tiranë-Korçë dhe anasjelltas. Për këtë qëllim, ai kërkonte nga Ministria e Brendshme që të urdhëronte prefekturat e Korçës, Vlorës dhe të Shkodrës që të merrnin masa për të ruajtur aerodromet dhe avionët, duke mos lejuar që të afrohej askush, me përjashtim të personelit të shoqërisë ajrore dhe pasagjerëve. 

Ministria e Brendshme mori masa të menjëhershme. Ajo urdhëroi prefekturat që të mos lejonin asnjë person përveç pasagjerëve, të cilët duhej të afroheshin për të hipur në avion pak momente para nisjes. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm i dha urdhër Komandës së Xhandarmërisë që të ruante perimentrin e aerodromit të Tiranës i cili konsiderohej si më kryesori.

Kjo tregon se ky atentat i mbetur në tentativë për të eleminuar disa nga politikanët më të njohur të kohës, nuk ishte diçka që e kishte burimin në mosmarrëveshjet e brendshme politike.

Më 5 maj 1925, Eshref Frashëri ishte përfolur nga shtypi si organizator i një komploti kundër Zogut me qendër në Korçë. Për t`i hapur rrugën hetimeve, ai i kishte kërkuar Presidentit dorëheqjen si Kryetar Senati, duke vijuar detyrën vetëm si anëtar i thjeshtë.

Gjasat që dikush jasht Shqipërisë të kishte informacion për këto zhvillime, ishin një rast i volitshëm. Alibia se politikanët shqiptarë po eliminonin njëri-tjetrin ishte gati...

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?