Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-shefin e Krimeve Dedan Gjoni, Algert Rapin, Rexhep Rapi dhe Dejvi Gjermëni, lidhur me tentativën për vrasjen e Xhevdet Plakut. Në Tetor të vitit të kaluar, GJKKO dha 5 vite burg pë Rexhep Rapin dhe 4.8 vite burg për secilin nga të akuzuarit e tjerë.
Sipas SPAK, plani për të vrarë të konsideruarin kapo i grupit të drogës, Xhevdet Plaku, apo siç njihej ndryshe me nofkën Akili ishte planifikuar të realizohej më 17 shtator 2019 në Durrës.Sipas Prokurorisë, porositës i planit për vrasjen e tij ishte Rexhep Rapi, i njohur ndryshe edhe si i forti i Sukthit.
Ky i fundit donte të hakmerrej për vrasjen e një të afërmi të tij, Sali Rapi, në vitin 2010 në Itali. Kjo vrasje u dyshua se u krye nga Xhevdet Plaku dhe një person tjetër, por Plaku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Savona-s më datë në prill 2014.
Por, pavarësisht vendimit të kësaj gjykate, Rexhep Rapi ishte i vendosur të hakmerrej dhe kishte planifikuar edhe 3 herë atentat ndaj Plakut, një i dyshuar për trafik droge, që përdorte 25 identitete si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam.
Rexhep Arapi e ka dhënë urdhrin për ekzekutim nga Holanda. Në ndihmë i ka ardhur ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni, i cili ka thirrur në komisariat objektivin Xhevdet Plaku më 17 shtator 2019. Në këtë moment Dedan Gjoni ka komunikuar me Dejvi Gjermenin, të cilit i ka treguar për orën kur do e lironte dhe i ka nisur një foto të tij. Informacionet ish-polici i Durrësit ia ka kaluar Algert Rapit, nipi i Rexhep Rapit dhe më pas janë organizuar për t'i zënë pritë objektivit.
Por, vrasja nuk ndodhi pasi ish-polici Gjermeni ka pasur frikë, se informacioni i dërguar përmes “Ëhatsapp”, mund të zbulohej më vonë. Kështu, ai i ka thënë Algert dhe Rexhep Rapit të largohen sepse Xhevdet Plaku nuk ishte më në rajon pasi ishte liruar. Kjo ka bërë që të dy të largohen nga aty dhe plani të dështojë.
Komente
