TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për planin për vrasjen e Xhevdet Plakut më 17 shtator 2019. SPAK ka dërguar për gjykim ish-shefin e Krimeve në komisariatin nr.6, Dedan Gjoni, ish-policin e Durrësit, Dejvi Gjermeni dhe Rexhep e Algert Rapin. Të katërt akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Sipas SPAK, porositës i planit për vrasjen e Xhevdet Plakut ishte Rexhep Rapi, i njohur ndryshe edhe si i forti i Sukthit. Ky i fundit donte të hakmerrej për vrasjen e një të afërmi të tij, Sali Rapi, në vitin 2010 në Itali. Kjo vrasje u dyshua se u krye nga Xhevdet Plaku dhe një person tjetër, por Plaku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Savona-s më datë 04.04.2014.
Por, pavarësisht vendimit të kësaj gjykate, Rexhep Rapi ishte e vendosur të hakmerrej dhe kishte planifikuar edhe 3 herë atentat ndaj Plakut, një i dyshuar për trafik droge, që përdorte 25 identitete si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam.
Pasi i dështuan 3 herë atentatet, konkretisht dy herë në Durrës dhe një herë në Tiranë, Rexhep Rapi krijoi një grup që do ta ndihmonin për ta ‘hequr qafe’ përfundimisht Xhevdet Palkun. Por edhe plani i katërt për eliminimin dështoi pasi ish-polici Dejvi Gjermeni hoqi dorë nga vrasja në momentin e fundit.
Rexhep Arapi e ka dhënë urdhrin për ekzekutim nga Holanda. Në ndihmë i ka ardhur ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni, i cili ka thirrur në komisariat objektivin Xhevdet Plaku më 17 shtator 2019. Në këtë moment Dedan Gjoni ka komunikuar me Dejvi Gjermenin, të cilit i ka treguar për orën kur do e lironte dhe i ka nisur një foto të tij. Informacionet ish-polici i Durrësit ia ka kaluar Algert Rapit, nipi i Rexhep Rapit dhe më pas janë organizuar për t'i zënë pritë objektivit.
"I pandehuri Dedan Gjoni, i ka dërguar të pandehurit Dejvi Gjermeni, foton e shtetasit Xhevdet Plakut, dhe një mesazh ku e informon që do të dilte në orën 20:00, nga dera e mbrapme e Rajonit të Policisë. Këtë informacion, i pandehuri Dejvi Gjermeni i’a ka dërguar më pas të pandehurit Algert Rapi, lidhje e ngushtë familjare (nipi) e shtetasit Rexhep (Kep) Arapi. Pas njoftimit që i pandehuri Dejvi Gjermëni, i ka dhënë të pandehurit Algert Rapi, i pandehuri Rexhep Rapi (Kep Arapi) është organizuar me njerëzit e tij, për të kryer vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku, duke i dalë në pritë", njofton SPAK.
Por, vrasja nuk ndodhi pasi ish-polici Gjermeni ka pasur frikë, se informacioni i dërguar përmes “Whatsapp”, mund të zbulohej më vonë. Kështu, ai i ka thënë Algert dhe Rexhep Rapit të largohen sepse Xhevdet Plaku nuk ishte më në rajon pasi ishte liruar. Kjo ka bërë që të dy të largohen nga aty dhe plani të dështojë.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.19/1, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Rexhep Rapi, Algert Rapi, Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermeni, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1/2 dhe 334, të Kodit Penal.
Ky procedim është regjistruar mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë. Nga hetimet është provuar se i pandehuri Rexhep Rapi, dhe shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), kanë një konflikt për shkak se, në vitin 2000 në qytetin e Savona-s të Italisë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Sali Rapi (i datëlindjes 21.05.1968, lindur në Durrës), i cili rezulton të jetë familjar i shtetasit Rexhep Rapi. Vrasja e shtetasit shqiptar Sali Rapi, u dyshua se është kryer nga shtetasi Xhevdet Plaku dhe shtetasi B.P., të cilët dhe janë arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Në datën 04.04.2014, shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Savona-s, Itali.
Në shenjë hakmarrje të vrasjes së shtetasit Sali Rapi, i pandehuri Rexhep Rapi është organizuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku. Krijuesi i grupit të strukturuar rezulton, se është i pandehuri Rexhep Rapi, i cili për shkak të dështimit në tre raste të mëparshme për të vrarë shtetasin Xhevdet Kiss (Plaku), konkretisht dy herë në Durrës dhe një herë në Tiranë, për shkak të hasmërisë, ka krijuar këtë grup me qëllim vrasjen e Xhevdet Kiss (Plaku), ku në përbërje (pjesëmarrës në grup) kanë qenë lidhje familjare Algert Rapi (nipi i tij), Dejvi Gjermëni, Dedan Gjoni dhe i ndjeri Fatjon Dervishi (Toqe/Tole) (për të cilin nuk mund të fillohet procedim penal, pasi është vrarë pas një atentati me armë zjarri më datë 27.09.2023, në Sukth, Durrës).
Nga hetimet u provua, se shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), në datën 17.09.2019, është shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Pas shoqërimit të tij në D.V.P. Durrës, i pandehuri Dedan Gjoni, ka komunikuar me të pandehurin Dejvi Gjermeni, të cilin e ka njoftuar mbi faktin e ndalimin të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku).
Më pas, i pandehuri Dedan Gjoni, i ka dërguar të pandehurit Dejvi Gjermeni, foton e shtetasit Xhevdet Plakut, dhe një mesazh ku e informon që do të dilte në orën 20:00, nga dera e mbrapme e Rajonit të Policisë. Këtë informacion, i pandehuri Dejvi Gjermeni i’a ka dërguar më pas të pandehurit Algert Rapi, lidhje e ngushtë familjare (nipi) e shtetasit Rexhep (Kep) Arapi. Pas njoftimit që i pandehuri Dejvi Gjermëni, i ka dhënë të pandehurit Algert Rapi, i pandehuri Rexhep Rapi (Kep Arapi) është organizuar me njerëzit e tij, për të kryer vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku, duke i dalë në pritë.
Vrasja nuk është kryer, pasi i pandehuri Gjermeni ka pasur frikë, se informacioni i dërguar përmes aplikacionit mund të zbulohej më vonë, dhe për këtë arsye i ka thënë të pandehurit Algert Rapi, që i pandehuri Rexhep Rapi të largohej, pasi Xhevdeti nuk ishte më në rajon, sepse e kishin liruar.
Pas dërgimit për gjykim të procedimit penal në ngarkim të katër të pandehurve të mësipërm, hetimet vazhdojnë në kuadër të një procedimi penal të ndarë, me objekt e fakte të tjera penale, dhe persona të tjerë të dyshuar.