Forcat e armatosura ruse kanë akuzuar Ukrainën se ka tentuar në mënyrë të qëllimshme të vrasë presidentin rus Vladimir Putin, duke synuar helikopterin e tij gjatë një inspektimi të zhvilluar të martën e kaluar në rajonin e Kurskut.
Sipas dëshmisë së komandantit të Divizionit të Mbrojtjes Ajrore në këtë rajon, Yuri Dashkin, i cili foli përpara kamerave të një gazetari rus, Kievi e kishte rritur ndjeshëm intensitetin e sulmeve pikërisht në momentin kur presidenti fluturonte mbi zonë, duke e vendosur atë në mes të një beteje të vërtetë kundërajrore.
“Nga 20 deri më 22 maj – tha oficeri i forcave ajrore ruse në një video të shpërndarë nga të gjitha mediat ruse dhe nga RT, që i qëndron pranë Kremlinit – armiku tentoi të realizonte një sulm të gjerë me dronë në territorin rus. Gjatë kësaj kohe, mbrojtja ajrore shkatërroi 1.177 dronë të armikut. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, kur presidenti Putin ndodhej në rajonin e Kurskut, u ndërmor një sulm i paprecedentë me dronë. Mbrojtja ajrore në zonë rrëzoi 46 prej tyre. Dua të theksoj se intensiteti i sulmit u rrit ndjeshëm gjatë fluturimit të helikopterit të Komandantit të Përgjithshëm në hapësirën ajrore të rajonit të Kurskut: po zhvillonim një betejë të ashpër kundërajrore, ndërkohë që siguronim mbrojtjen ajrore për helikopterin e presidentit.”-tha Dashkin.
Sipas Dashkinit, “detyra u përmbush me sukses: sulmi me dronë u zmbraps dhe të gjitha objektivat ajrore u asgjësuan. Helikopteri i presidentit ndodhej në atë moment në qendër të betejës së mbrojtjes ajrore.”
Deri tani nuk ka asnjë reagim nga pala ukrainase, por lajmi është pritur me ironi nga mediat në Ukrainë: gazeta Telegraf ka vëzhguar reagimet në rrjetet sociale dhe komenton se “as vetë rusët nuk e besojnë këtë përrallë të Kremlinit, duke e paraqitur Putinin me kostumin e Superman-it që kalon në mes të dronëve”.
Në të vërtetë, dronët nuk janë mjeti ideal për të rrëzuar një helikopter, dhe akuza e ngritur ndaj Kievit shërben më shumë si mjet propagandistik rus: mbështet narrativën sipas së cilës qeveria ukrainase dhe partnerët e saj evropianë pretendojnë se duan paqen, ndërkohë që në fakt kërkojnë përshkallëzimin e konfliktit (njësoj siç pretendon edhe propaganda ukrainase ndaj Kremlinit).
Të thuash se inteligjenca ukrainase ka qenë në gjendje të identifikonte fluturimin me presidentin rus në bord pavarësisht masave të sigurisë për një mision kaq delikat – duhet të jetë në radhë të parë alarm për vetë drejtuesit rusë. Megjithatë, konteksti i inspektimit ka qenë padyshim i vështirë: në rajonin e Kurskut, ku forcat ukrainase kanë nisur një kundërofensivë të dytë javët e fundit pas asaj të muajit gusht të kaluar, përplasjet me dronë dhe artileri janë të përditshme.
Nuk është e pamundur të imagjinohet që presidenti të jetë gjendur rastësisht në mes të një sulmi me dronë ukrainas, pavarësisht të gjitha masave të marra. Por është diçka krejt tjetër të besohet se ka pasur një sulm të qëllimshëm dhe të ndërgjegjshëm nga ana e komandës ukrainase, raportohet në media.
Hipoteza e një përpjekjeje për të vrarë presidentin rus – i cili sipas Konventave të Gjenevës do të konsiderohej një objektiv legjitim, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë së vendit që pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, tre vjet më parë – mbetet e vështirë për t’u imagjinuar, për shkak të pasojave të saj të rënda. Sidomos në një fazë politike kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka ftuar disa herë (deri tani pa sukses) në një përballje direkte për të zgjidhur konfliktin.
Kujtojmë se edhe në maj të dy viteve më parë, Kremlini akuzoi shërbimet sekrete ushtarake ukrainase (GUR) se kishin tentuar të vrisnin Putinin me një dron. Madje, zëvendësshefi i GUR-it në një intervistë për La Repubblica, të cituar gjerësisht nga mediat botërore, pranoi se e konsideron Putinin një objektiv të ligjshëm.
Komente
