Torino- Drejtësia italiane dënon me 6 vite burgim shqiptarin e akuzuar për grabitjen e vilës së futbollistit argjentinas, kampionit të botës Angel Di Maria, më 6 Tetor të vitit 2022.
Prokuroria kishte kërkuar dyfishin e dënimit të tij, por Gjykata e Torinos dha vetëm gjysmën për shqiptarin e vetëm të arrestuar, emri i të cilit nuk u publikua.
Ngjarja ndodhi teksa argjentinasi ishte lojtar i Juventusit dhe ndodhej në shoqërinë e shokut të tij të skuadrës, Dushan Vlahovic, në kodrat pas Gran Madre, në Torino.
“Corriere” shkruan se i vetmi i pandehur në gjykim (me procedurë të shkurtuar), është shtetasi shqiptar, i arrestuar nga policia pas një ndjekjeje të gjatë, ndërsa bashkëpunëtorët nuk u identifikuan kurrë.
I pandehuri kishte disa dënime të mëparshme dhe u akuzua për 14 vepra penale, duke përfshirë një tjetër grabitje që dyshohet se ka ndodhur ditët e mëparshme.
Procesi pati debate, teksa gjyqtarja e seancës paraprake Angela Rizzo, pranoi një nga tezat e mbrojtësve Raffaele Della Valle dhe Cosimo Palumbo, veçanërisht në pikën e akuzës më të rëndë, asaj të tentativës për grabitje, që në fund u riklasifikua si tentativë për vjedhje.
Shqiptari shpëtoi edhe nga akuzat për qitjet me armën që më pas e hodhi, por jo nga ato për agresionin ndaj një zyrtari publik dhe shkaktimin e lëndimeve. Prokuroria kishte kërkuar gjithsej 12 vjet e 4 muaj burgim. Prokuroria pretendonte se sulmi ka qenë i frikshëm nga banda kriminale, që sulmuan të armatosur futbollistin, madje dhe me të shtëna armësh, duke i terrorizuar. kapja e shqiptarit u bë menjëherë pas krimit, kurse shokët e tij u arratisën.