Policia Kufitare e Kakavijës ka marrë nën hetim një 51-vjeçar, i cili tentoi që të kalonte një shumë të konsiderueshme parash nga Shqipëria.
Sipas policisë, 51-vjeçari tentoi të kalonte në kufi me Greqinë me 20 530 euro dhe 1 800 000 lekë, të cilat nuk i kishte deklaruar.
51-vjeçari do të akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
“Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit F. S., ku u gjetën 20 530 euro dhe 1 800 000 lekë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin F. S., 51 vjeç, banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e parave. “, thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente
