Tiranë/ Tentoi të vriste me armë zjarri të riun pas një sherri, arrestohet 28-vjeçari! I gjendet dhe pistoleta me të cilën do kryente krimin (VIDEO)

12 Prill 2022, 18:06| Përditesimi: 12 Prill 2022, 18:46

  • Share

TIRANË- Emra Korteshi pas një sherri me një 35-vjeçar ka marrë armën e zjarrit me qëllim që ta vrasë, por për fat të mirë kjo rezultoi një tentativë e dështuar. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në rrugën "Shaban Bardhoshi".

Nga sa mësohet dyshja është konfliktuar me njëri-tjetrin për motive që nuk dihen ende dhe Korteshi ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të E. I., 35 vjeç dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, arratia i ka zgjatur disa orë.

Ai është vënë në prangat e policisë dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale "Vrasja me dashje" mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".  Ndërkohë, siç bëjnë me dije burime zyrtare nga uniformat blu, atij i është sekuestruar edhe pistoleta me të cilën 28-vjeçari tentoi të kryente vrasjen.

"Finalizohet operacioni policor i koduar "Speed", i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.   Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, vihet në pranga një 28-vjeçar.  Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, me të cilën 28-vjeçari tentoi të kryente vrasjen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën "Shaban Bardhoshi", një shtetas ka qëlluar me armë zjarri drejt një shtetasi tjetër, dhe më pas është larguar, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Speed”.

Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: - E. K., 28 vjeç, banues në Kombinat, për veprat penale "Vrasja me dashje" mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". 

Shtetasi E. K., ditën e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në Kombinat, në rrugën "Shaban Bardhoshi", ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. I., 35 vjeç, dhe më pas është larguar.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e policisë. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?