Tentuan të fusnin drogë dhe telefona përmes dronit në burg, prokuroria e Lezhës kërkon mbi 24 vite burg për 3 autorët

14 Mars 2022, 13:09| Përditesimi: 14 Mars 2022, 13:10

  • Share

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 24 vite e 8 muaj burg për tre persona, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin në muajin korrik të vitit 2019 tentuan të fusnin drogë dhe telefona përmes dronit në burgun e Shënkollit në Lezhë.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Ylli Pjeternikaj dhe ndaj tre të rinjve u ngritën akuzat "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim" në tentative dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve".

Për këto vepra penale organi i akuzës kërkon dënimin me nga 9 vite e 4 muaj burg për shtetasit Xhefri Lumaj e Mentadent Veinca si dhe 6 vite burg për shtetasin Xhulio Kola. Referuar dosjes hetimore është arritur të provohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në orët e vona të mbrëmjes të datës 6 korrik të vitit 2019, përmes dronit kanë tentuar tu fusnin 7 pako me lëndë narkotike dhe 3 telefona celular në burgun e Shënkollit në Lezhë, të cilën e kishte porositur nga një i burgosur me të cilin kishin komunikuar me mesazhe. Rasti u pikas nga punonjësit e policisë së burgut të cilat gjatë shërbimit konstatuan, se aty po fluturonte një dron, i cili kishte hyrë në zonën e ndaluar. Ata menjëherë kanë njoftuar Policinë e Lezhës, e ndërsa në mbështetje të tyre shkuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës.

Pas bllokimit të dronit, policia gjeti të lidhura në një qese plasmasi 7 pako me lëndë narkotike si dhe tre telefona celularë me tre karta. 3 personat të cilët po  drejtonin dronin u arrestuan në flagrancë 1 km larg burgut të Shënkollit dhe  brenda automjetit të tyre u gjet edhe telekomanda e mjetit. Tashmë do të jetë Gjykata e Lezhës e cila do të jap vendimin për 3 personat e pandehur në lidhje me këtë çështje.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?