Kronikë

Tentuan të trafikonin 137 kg kokainë, SPAK kërkon 12 vite burg për Altin Myslihakën dhe 8 vite e 8 muaj për Ardian Begajn

29 Qershor 2021, 12:52| Përditesimi: 29 Qershor 2021, 18:11

  • Share

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar sot 20 vite e 8 muaj burg për dy të pandehurit Altin Myslihaka dhe Ardian Bega, të cilët u kapën duke tentuar të trafikonin 137 kg kokainë në shtator të 2019.

Përkatësisht, SPAK ka kërkuar 12 vite burg për Altin Myslihakën dhe 8 vite e 8 muaj burg për Ardian Begajn, të cilët u kapën duke tentuar të transportonin 137 kg kokainë.

Kujtojmë e për porositësin e kokainës, Gentian Malindin janë pezulluar hetimet pasi nuk është arrestuar. Malindi porositi 137 kg kokainë në Ekuador, e cila u zëvendësua nga policia me oriz në portin e Pireut, Greqi.

Sipas SPAK, Malindi, Begaj dhe Myslihaka janë bashkautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë, të sekuestruar në 4 kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.

Myslihaka dhe Begaj, me anë të një çante nxorën 22 pako që ata mendonin se ishte kokainë, por nga ana tjetër rezultoi se me dorëzim të kontrolluar ishte lëndë e përzier kokainë e me oriz, pasi nga porti i Pireut në Greqi, hetuesit grekë dhe ata shqiptarë kishin vendosur të bënin një dorëzim të kontrolluar, duke i vendosur ngarkesës dhe GPS. Ka qenë Myslihaka dhe Begaj që nën drejtimin e Malindit kanë kryer veprimet në Portin e Durrësit. Do të jetë GJKKO që më 14 korrik do të vendosë për fatin e të pandehurve.

Si u kap droga? Më 19 gusht 2019 kontenierët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare.

Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit. Pas tre ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta.

Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë deri sa mesditën e 19 shtatorit të kontraktuarit nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët. Sipas grupit hetimor ata kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar.

Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, është pronar i një kompanie për tregtiimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013). I arrestuari Mislihaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, "Eniwej", dhe kishte leje dhe akses për t'u futur në portin e Durrësit.

 

Ora 14:31
Zbardhen përgjimet/ 137 kg kokainë, trafikantët dyshonin se u kap në Greqi, shoku i kërkon Malindit të monitorojë mediat: S'kanë gjë, po jepet Basha

'Report Tv' ka zbardhur përgjimet mes Gentian Malindit dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij, në lidhje me trafikimin e 137 kg kokainë. Në bisedë mes tyre, Malindi shprehet i shqetësuar për shkak të vonesës së ngarkesë në Greqi, duke i kërkuar bashkëpunëtorit të tij që të shikojë mediat, për të kuptuar nëse ngarkesa është kapur apo jo nga policia. Pasi monitorojnë mediat, është po vetë Malindi i cili i thotë bashkëpunëtorit ët tij se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar dhe se në televizione po transmetohej një takim i kreut të PD-së, Lulzim Bashës.

Përgjimet:

724: Të thash unë ty, do shkojmë te ajo fallxhorja

Malindi: Ça ke?

724: Shihe njëher te njuz

Malindi: Hajt

724: Në Selnaik

Malindi: Ok, hajt

Malindi: S'pashë gjë, ça është, te njuz 24-a apo te euronjuzi o vlla, ku o?

724: Te euronjuz, top njuzi, greku Selanik

Malindi: Po pra, t eeuronjuz jo te njuz 24?

724: Ku di gjë unë...

Malindi: njuz 24

724: Njuz 24 po.

Malindi: po, po, po, takimi thotë me këtë konsulencën, Basha do zhvillohet me PD-n, e mora vesh

724: Ka nai qeder?

Malindi: Jo, jo gjithçka në rregull

724: Ciao

Përgjimet mes Gentian Malindit dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij, në lidhje me trafikimin e 173 kg kokainë
//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?