Fier-Babë e bir në Fier kanë tentuar që të vrasin me sëpatë një 58-vjeçar për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Shtyllas. Në pranga është vënë 63-vjeçari Pashuk Paluca, si edhe i biri 40-vjeçar Ndue Paluca, vetëm pak orë pasi u shpall në kërkim.
58-vjeçari Llesh Marku ka marrë disa plagë në kokë dhe shpatull, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Fierit. Sipas burimeve policore, djemtë e dy familjeve Paluca dhe Marku janë konfliktuar dy javë më parë për motive të dobëta, sherr që ka vazhduar edhe paraditen e së shtunës.
'Kapet duke tentuar të largohej për në shtetin Grek, autori tjetër i ngjarjes së ndodhur në fshatin Shtyllas, ku babë e bir tentuan të vrisnin shtetasin Llesh Marku. Pas disa orë kërkimesh të pandërprera, shërbimet e Komisariatit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, kanë marrë informacion se autori po largohej në drejtim të Sarandës.
Forcat operacionale të Komisariatit të Policisë Fier janë vënë në ndjekje të tij dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim Ndue Paluca, 40 vjeç, në momentin që do hipte në autobusin e Konispolit, me qëllim që të largohej për në Greqi. Në vijim të veprimeve procedurale u bë ndalimi i këtij shtetasi për veprën penale "Vrasja me paramendim", e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë', njoftoi sot policia.
Dy familjet jetojnë prej vitesh në këtë fshat të ish-internuarish të ardhur nga Kukësi e Puka. Ndaj 63-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale veprën penale "Vrasje me paramendim", e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Komente
