Paratë e sekuestruara

Tiranë/ Tentuan t’i merrnin një biznesmeni 100 mijë € duke u hequr si zyrtarë të lartë, arrest në burg për babë e bir! Ende në kërkim organizatori

8 Maj 2023, 14:34| Përditesimi: 8 Maj 2023, 14:43

  • Share

Bedri dhe Albert Vodha dy mashtruesit të cilët u shtirën si zyrtarë të lartë me qëllim zhvatjen e 100 mijë eurove të një biznesmeni janë lënë në burg.

Policia e Tiranës tha se pas kësaj skeme fshihet një person i tretë, Florian Gjergji, i cili ende është i shpallur në kërkim. Ky i fundit i është prezantuar biznesmenit, si zyrtar i lartë.

Shuma e parave – sipas hetuesve  iu kërkua sipërmarrësit me anë të mesazheve në rrjetin social Telegram nga Florian Gjergji, i cili përveçse dyshohet si organizator, ka pasur rolin personit që mbante komunikimin me të dëmtuarit. Pas denoncimit të biznesmenit, policia ka organizuar shërbimet për të mbajtur në mbikëqyrje personat që do takoheshin me të për dorëzimin e parave. Babë e bir Bedri dhe Albert Vodha, 54 dhe 24 vjeç, u ndoqën nga forcat e policisë, deri në momentin kur u arrestuan në flagrancë, para se të merrnin shumën e parave.

Nga hetimet, grupi i hetimit ka dyshime se të tre këta persona janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, në mars të këtij viti në Tiranë, ku me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë, i kanë marrë një shumë të madhe parash një tjetër biznesmeni. Blutë e Tiranës sekuestruan 70 000 euro dhe 2 automjete që dyshohet se të akuzuarit kanë përfituar përmes mashtrimit. Në janar të këtij viti policia e Tiranës goditi edhe një tjetër rast të ngjashëm të kërcënimit të biznesmenëve përmes telefonatave dhe mesazheve për të dhënë shuma të konsiderueshme parash.

Një grup personash nga Shkodra ranë në pranga me akuzën se kishin kërcënuar një biznesmen ndërtimi të cilit i kërkonin 130 mijë euro duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të administratës shtetërore. Edhe në këtë rast sipërmarrësi i kërcënuar denoncoi autorët të cilët ranë në prangat e policisë në momentin që u paraqitën për të marrë në dorëzim shumën e parave.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?