Tepelenë- Dy parcela me 195 bimë hashashi të mbjella janë zbuluar dhe asgjësuar nga Policia e Gjirokastrës, pas një aksioni ditën e sotme (4 korrik) në fshatrat Mamaj dhe Progonat, në Tepelenë.
Nën akuzë për shpërdorim të detyrës u mor edhe kryeplaku i fshatit Mamaj, ndërsa po hetohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Operacioni është koduar “Koordinata”.
“Në njësinë administrative Qëndër, në fshatin Mamaj, u gjetën 149 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, për kryetarin e këtij fshati, M. Z.”, bëri me dije policia vendore.
Kurse në njësinë administrative Kurvelesh, në fshatin Progonat, u gjetën 46 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, teksa po vijon puna për të dy rastet, me qëllim identifikimin e autorëve të kultivimit dhe kapjen e tyre.
Hetimet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme prokurorisë vendore.
Komente
