Tepelenë- Sekuestrohen 2.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga 48-vjeçari që e mbante me qëllim shitjen.
Operacioni u krye në njësinë Krahës të Tepelenës dhe Policia e Gjirokastrës e konfirmoi sot (9 Tetor). Aksioni është koduar “Tempulli”, mbi bazën e informacioneve të mbledhura në rrugë operative.
Në pranga ra personi me inicialet V.B., banues në fshatin Lulzim të kësaj njësie.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit V. B., gjetën dhe sekuestruan 2.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën dyshohet se ai e posedonte me qëllim shitjen në qytetin e Memaliajt”, njoftoi policia vendore.
Materialet procedurale për këtë çështje i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.