Stefano Pioli

Tërhiqet Stefano Pioli, trajneri i Milanit i 'dorëzon' titullin Interit: Kampionati është i mbyllur

1 Mars, 10:34| Përditesimi: 1 Mars, 10:36

  • Share

Lazio dhe Milan luajnë sot në 20:45 në "Olimpico" për të çelur javën e 27-të në Serinë A të futbollit në Itali. Në prag të ndeshjes, trajneri i kuqezinjve i ka "dorëzuar" titullin Interit. Stefano Pioli ka thënë se çështja e "Skudetos" është e mbyllur, me Interin që prin klasifikimin me 12 pikë më shumë se ndjekësit e Juventusit dhe 16 më shumë se Milani.

"Kampionati është i mbyllur, ata po bëjnë një ecuri të jashtëzakonshme. Patën një kalendar të vështirë, por e kaluan qartë momentin më të vështirë. Tani mendoj se ka mbaruar", tha Pioli.

Më pas trajneri foli edhe për Lazion, kundërshtarin e radhës.

"Është një ekip me cilësi të mëdha, që vjen nga një paraqitje jo e kënaqshme, do të gjejmë një ekip të motivuar që luan mirë, por që mund të vihet në vështirësi me intensitet dhe vendosmëri", vijoi ai.

Më pas ai foli edhe për derbin me Interin për titullin dhe pikët që duhen për të siguruar Champions League.

"21 prilli është shumë larg, kemi Lazion për të menduar. Ka shumë objektiva për t'u fokusuar. Në pushimet e kombëtareve do të kuptojmë më mirë se çfarë sezoni mund të kemi. Champions League? Allegri (trajneri i Juventusit) është shumë i mirë në këto gjëra, ai tha 70 pikë, kështu që do të thoja se ka ende shumë punë për të bërë", tregoi mes të tjerash Pioli para gazetarëve.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?