Dy vite pasi Report Tv transmetoi rrënojat e termës romake, në Rrasë të Belshit kanë mbërritur arkeologë e restauratorët të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë si dhe pedagogë e studentë të Fakultetit të Historisë.
Gërmimet arkeologjike drejtohen nga Mariglen Meshini i cili shprehet besimplotë se do të zbulohet një kompleks termash romakë të shekullit të dytë të erës sonë.
"Kemi të bëjmë me një termë të periudhës romake, shekulli II E erës sonë, nga ajo që shohim në terren mund të kemi të bëjmë më shumë se sa një termë, me një kompleks termash të kësaj periudhe. E rëndësishme është të mbledhim informacion përmes gërmimit arkeologjik! Sapo kemi nisur një fushatë gërmimi e cila është e para, por jo e fundit, duke vlerësuar gjithë potencialin në terren por edhe atë që do përftojnë kohë pas kohe me gërmimet dhe studimet", tha Meshini.
Ndërsa historiani Roland Bejko vlerëson: "Kemi një strukturë romane, një terme romake pjesë e një kompleksi më të gjerë të periudhës romake të cilat janë struktura që dominojnë në gjithë peizazhin. Kjo është vetëm pika e fillimit të një projekti rajonal për identifikimin e gjithë zonës dhe përdorimin e këtij territori në periudhën romake".
Nga matjet e arkeologëve sipërfaqja e zbulimit arrin në 1 000 m2, ndërsa pritet të zbulohen disa monumente të rëndësishme që dëshmojnë qytetërimin antik të Belshit.
"Duke qenë se jemi në një hapësirë gjeografike për banim që nga periudhat më të hershme do të kemi rezultatet të bukura, është projekt më i gjerë do të ketë gërmime dhe konservim dhe interpretim. Monumenti do të jetë i vizitueshëm si dhe një hapësirë për gërmime mëtejshme hapësirë të madhe dhe të gjerë do të na japë monumente të tjera dhe interesante i kalon përmasat e Belshit dhe në rang kombëtar".
Në të ardhmen mendohet se kjo zonë do të kthehet në atraksion turistiko-historik.
Nje term tjeter romake , eshte jo me me shume se 6-7 km larg , ne Zgjane te Lushnjes, afer je perroi te quajtur lunje.
Përgjigju