Tërmet në shtëpinë e Nestlè. Drejtori ekzekutiv i kompanisë shumëkombëshe zvicerane agro-ushqimore, 63-vjeçari francez Laurent Freixe, u shkarkua pas vetëm një viti në detyrë për shkak se kishte mbajtur një “marrëdhënie të padeklaruar” me një punonjëse. Për gruan dihet vetëm se ishte një nga vartëset e tij të drejtpërdrejta. Nuk dihet nëse edhe ajo është larguar. Shprehja “marrëdhënie e padeklaruar” do të thotë se menaxheri i lartë, siç ka deklaruar këshilli i administrimit të Nestlè për të justifikuar vendimin, “me sjelljen e tij ka shkelur kodin e etikës dhe udhëzimet e brendshme të grupit”.
“E falënderoj Laurent Freixe për vitet e shërbimit në Nestlè”, shtoi presidenti i Këshillit të Administrimit, Paul Bulcke. Menaxheri ishte punësuar që në vitin 1986, pra kishte kaluar gjithë jetën e tij profesionale në gjigantin zviceran. Në detyrë prej shtatorit 2024, drejtuesi i lartë francez, i emëruar në vend të gjermanit Mark Schneider, kishte ardhur si një surprizë, pasi në multinacionalen me qendër në Vevey, rotacionet në majë ndodhin zakonisht pas shumë reflektimesh.
Zgjedhja e Freixe ishte bërë pasi ai konsiderohej njohës i thellë i tregut. “I ishte dhënë detyra të rilançonte Nestlè, duke rikthyer besimin e investitorëve”, shkruante mbrëmë në faqen e vet online gazeta Le Temps e Gjenevës.
Drejtimi i tij i shkurtër në Nestlè ka përmbushur vetëm deri në një farë mase pritshmëritë, pasi rritja organike e grupit, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ishte 2,9%, përballë një rënieje të shitjeve prej 0,2%. Megjithatë, aksionet e Nestlé patën një performancë shumë të mirë, duke u bërë performuesi më i mirë i vitit sipas Indeksit të Tregut Zviceran. Është e mundshme që, po të mos ishte rrëzuar nga lëkura e bananes që i kushtoi vendin, menaxheri i lartë francez do të kishte mundur, me të vërtetë, të rilançonte Nestlè.
Vendi i tij do të merret tani nga zvicerani Philipp Navratil, aktualisht përgjegjës i brandit Nespresso. Duke u kthyer te shkaku i shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të një grupi që vitin e kaluar ka realizuar një xhiro prej 91,4 miliardë frangash dhe që punëson 323 mijë persona, mund të thuhet se kjo tregon se seksi dhe pushteti nuk shkojnë më bashkë. Të paktën, se edhe në kompanitë e mëdha, kultura mbi marrëdhëniet mes shefave dhe vartësve ka ndryshuar.
Në këtë drejtim, kujtojmë shkarkimin në korrik të CEO-së së platformës teknologjike Astronomer, Andy Byron, i fotografuar në Boston, në një koncert të Coldplay, i përqafuar me përgjegjësen e burimeve njerëzore, Kristin Cabot. Për ngjarjen në të cilën është përfshirë Laurent Freixe duhet thënë se, në Zvicër, ligji mbron jetën private dhe nuk ndalon marrëdhëniet sentimentale në punë. Çfarë ka bërë saktësisht CEO-ja i Nestlè është, pra, ende e qartë./La repubblica
Komente
