Tërmetet/Eurokodi 8 në Shqipëri, gjeologu grek: Duhet edhe një kod shqiptar!

10 Janar 2020, 15:46| Përditesimi: 10 Janar 2020, 15:56

  • Share

Ekspertë vendas edhe të huaj për fushën e sizmologjisë zhvilluan në Akademinë e Shkencave një takim për masat që duhet që të marrë vendi ynë pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Vet kreu i Akademisë Skënder Gjinushi, por edhe zëvendësministri i Infrastrukturës edhe Energjetikës, Artan Shkreli e cilësuan një domosdoshmëri këtë iniciativë, në mënyrë që të mos gjendemi të papërgatitur në të ardhmen. Ndërsa, sizmologu Shyqyri Aliaj, teksa flet për ngritjen e njësisë së sizmologjisë në Akademinë e Shkencave, argumenton se duhet përpiluar një kod i ri për Shqipërinë, pasi ai ekzistues aktualisht është i vitit 1989.

“Kjo njësi është e veçantë, e ngritur nga tre specialistë, të cilët pas tërmetit të vitit 2019 e quajtën për detyrë që të kontribuojnë për punën shkencore që kishin bërë me kohë, për përpilimin e një kodi të ri sizmik, sepse ai ekzistues është i vitit 1989, që bazohet në një hartë sizmike me intensitete. Kodi i ri, që kemi nis është mirë të zbatohet dhe në ndërtimet që janë duke u bërë, bazohet në eurokodin 8”, thotë profesor Shyqyri Aliaj.

Sizmologu shqiptar Rrapo Ormëni edhe gjeologu grek Spyros Pavlides, teksa e konsiderojnë Shqipërinë, si një nga vendet më sizmik në rajon, flasin për masat që duhet marrë.

“Deri tani kanë shkuar 2300 pas goditje, nga të cilat janë lokalizuar mbi 700 të tilla, por niveli i tyre ka ardhur gjithmonë në rënie, kjo duket edhe nga fakti që pasgoditjet kanë qenë më të vogla. Tërmetet nuk parashikohet, por ecuria e pasgoditjes, tregon që ky tërmet po vjen drejt shuarjes së tij”, shprehet Ormëni.

Ndërsa gjeologu grek Spyros Pavlides teksa shpreh ngushëllimet e tij, për fatkeqësinë natyrore, që përshkroi vendin tonë, flet edhe për masat që duhet marrë shteti.

"Qëllimi i këtij takimi, është që të vendosim për masat që duhet marrë. Fillimisht, duhet marrë hapat shkencor që kanë të bëjnë me sizmologjinë, gjeologjinë edhe ndërtimin, në mënyrë që të dhënat shkencore të kthehen në ligje për shtetin, duke bërë që ndërtesat e reja të jenë të qëndrueshme edhe të sigurta për popullin. Shqipëria është një vend sizmik, një nga vendet më sizmike në rajon. Nuk mund të bëhen parashikime në bazë ore, dite, jave muaj, në bazë të statistikave, në të ardhmen çdo 30 vjet ndodh një tërmet i fuqishëm i shkallës rihter. Në Greqi ne kemi kodet më të mira, sepse tërmetet na bënë që të përcaktonim për të tilla kode. Tani ndjekim përveç kodit grek edhe atë evropian, por disa pjesë të kodit grek janë më të mira se ai evropian. Prandaj është e rëndësishme që të ndiqet eurokodi, por duhet që të ketë edhe një kod shqiptar, për ndërtesat edhe për çdo gjë”, thotë gjeologu grek.

Instituti i Sizmologjisë që prej vitit 2007 është shkrirë, edhe funksionin si pjesë e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?