Greqi-Një tërmet i fortë me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter u regjistrua në orën 02:17 pas mesnatës me orën lokale, në zonën detare midis Rodosit dhe Turqisë.
Sipas mediave fqinje lëkundjet ishin shumë të forta. Banorët dhe turistët e ishullit të tmerruar dolën me shpejtësi nga hotelet dhe banesat ku po qëndronin.
Ndërsa Greqia nuk raportoi lëndime në njerëz, në Turqi një vajzë 14-vjeçare ndërroi jetë si pasojë e një sulmi paniku gjatë tërmetit, ndërsa 69 persona mbetën të plagosur, pasi u hodhën nga lartësia për shkak të frikës.
Lëkundjet janë ndjerë kryesisht në Mugla, Izmir, Antalia, Aydın, Denizli dhe Manisa.
“Gjatë tërmetit në Fethiye, vajza jonë 14-vjeçare Afranur Günlü u dërgua në spital për shkak të një ataku paniku, por për fat të keq humbi jetën pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve. Në Muğla dhe rrethet e saj, 14 nga 69 qytetarët tanë që u hodhën nga lartësitë për shkak të panikut u trajtuan në spital. U uroj shëndet qytetarëve tanë të prekur nga tërmeti. Zoti e ruajt vendin dhe kombin tonë nga fatkeqësitë”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya.
Mediat në Turqi kanë publikuar pamjet e tërmetit 5.8 Rihter që tronditi vendin në orët e para të kësaj të marte.
Lëkundjet e tërmetit ishin të forta ndërsa u ndjenë deri në ishullin grek Rodos.
Guvernatori i Muglas, Idris Akbıyık, njoftoi se 69 qytetarë u plagosën pasi u hodhën nga lartësia, ndërsa një vajzë 14-vjeçare humbi jetën pasi pësoi atak paniku nga frika e tërmetit.
Turqia ndodhet në një zonë me rrezik të lartë sizmik dhe lëkundjet janë të shpeshta.
Në shkurt të vitit 2023, një tërmet katastrofik me magnitudë 7.8 shkaktoi mbi 53 mijë viktima në Turqi dhe shkatërroi ose dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa në 11 provinca jugore.
Komente
