Pasojat e tërmetit në Mianmar

Bota

Tërmeti me mbi 1700 të vdekur në Azinë Juglindore, OBSH bën thirrje për 8 milionë dollarë ndihma! Mianmar shpall një javë zie kombëtare

31 Mars, 07:55| Përditesimi: 31 Mars, 11:15

  • Share

OBSH ka bërë një apel urgjent për 8 milionë dollarë në ndihmë për popullin e Mianmarit, që u prek nga tërmeti shkatërrues më 28 Mars. Gati 72 orë orë pas tërmetit me magnitudë 7.7, autoritetet vendase kanë konfirmuar 1700 të vdekur dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur, raporton BBC. 

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ka aktivizuar "nivelin më të lartë të urgjencës" dhe ka theksuar se janë të nevojshme donacione për të ofruar kujdes urgjent për traumën, për të parandaluar shpërthimet e sëmundjeve dhe për të rikthyer shërbimet shëndetësore esenciale gjatë 30 ditëve të ardhshme.

Edhe Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC)  bënë thirrje për ndihma humanitare. 

"Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi, është një krizë komplekse humanitare e shtresuar mbi dobësitë ekzistuese. Ky tërmet përkeqëson një situatë tashmë të brishtë. Komuniteti global duhet të mbështesë një përgjigje të guximshme dhe të qëndrueshme", tha drejtori i IFRC Azi-Paqësor, Alexander Matheou.

Ndërkohë junta ushtarake ka shpallur një javë zie kombëtare. Flamujt do të valëviten në gjysmështizë gjatë periudhës, e cila do të zgjasë deri më 6 prill.

Fatkeqësia është një goditje e mëtejshme për Mianmarin, i cili është përfshirë nga një luftë civile që nga një grusht shteti ushtarak në 2021. Menjëherë pas tërmetit të së premtes, junta thuhet se vazhdoi sulmet ajrore.

Tërmeti u ndje qindra kilometra larg në vendet fqinje si Tajlanda, ku numri i të vdekurve është rritur në 18. Në Bangkok, vazhdojnë përpjekjet e shpëtimit për 76 punëtorë ndërtimi të bllokuar nën një ndërtesë shumëkatëshe të shembur. 

Xh.D/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?