Tragjedia natyrore, që u pasua me një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, në vendin tonë, na tregoi edhe një herë se sa të pafuqishëm jemi të gjithë përballë këtyre fatkeqësive.
Megjithatë, solidarizimi konkret i disa prej artistëve më në zë, mes tyre edhe i sopranos së njohur Inva Mula, e cila fton të gjithë artistët të bëhen pjesë e koncertit maratonë në datë 8 dhjetor në qytetin e Durrësit nuk ka munguar.
Balerini Kledi Kadiu, i cili kishte parashikuar një ëorkshop në Shqipëri, bëri të ditur se do ta organizojë në një moment tjetër, edhe të ardhurat do t’i dhurojë për të prekurit nga tërmeti.
Ndërsa, violinisti Olen Çesari, i cili në momentin që ra tërmet në qytetin e tij të lindjes, në Durrës ka pasur edhe të afërm, shprehet se është një ide shumë e bukur, që të artistët të organizojnë një spektakël për të mbledhur fonde që të lehtësojnë sadopak situatën, duke ndihmuar edhe rikonstruksionin e shtëpive për ata banorë që s’kanë ku të flenë.
Ndërsa, nuk ka munguar as solidariteti i dy këngëtareve me famë botërore Dua Lipës dhe Rita Orës, të cilat shprehën jo vetëm solidaritetin e tyre, por kanë dhuruar 2 milionë euro në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.