Tërmeti tragjik në Turqi e Siri, 34 mijë viktima! Lëshohen 113 urdhër-arreste për ndërtesat e shembura, 12 të arrestuar

12 Shkurt 2023, 07:05| Përditesimi: 12 Shkurt 2023, 22:52

  • Share

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti ka shkuar mbi 34,000 dhe shpresa për gjetjen e shumë të mbijetuarve po zbehet. Numri i të vdekurve në Turqi ka arritur në  29,605 ndërsa në Siri ka arritur në 4,574.

Trazirat në Turqinë jugore kanë ndërprerë përpjekjet e shpëtimit në disa vende. Ekipet austriake dhe ato gjermane ndërprenë operacionet e kërkim shpëtimit, për shkak të përleshjeve midis grupeve të paidentifikuara. "Siguria pritet të përkeqësohet pasi furnizimet ushqimore pakësohen", tha një shpëtimtar.

Për ndërtesat e shembura janë lëshuar 113 urdhër-arreste për shkak të ndërtimeve pa standarde ndërsa deri tani janë vënë në pranga 12 persona. 

Media shtetërore raportoi për një shpërthim grabitjesh në vendet e prekura, ku të shtunën 48 persona ishin arrestuar për grabitje kryesisht në Hatay. Presidenti i Turqisë tha se do të përdorte fuqitë emergjente për të ndëshkuar këdo që shkel ligjin. Një zëdhënës i ushtrisë austriake tha herët të shtunën se përleshjet midis grupeve të paidentifikuara në provincën Hatay kishin lënë dhjetëra personel nga Njësia e Ndihmës ndaj Fatkeqësive të Forcave Austriake që kërkonin strehim.

"Ka një agresion në rritje midis fraksioneve në Turqi," tha nënkoloneli Pierre Kugelëeis në një deklaratë. "Shanset për të shpëtuar një jetë nuk kanë asnjë lidhje të arsyeshme me rrezikun e sigurisë."

Disa orë pasi Austria ndërpreu përpjekjet e saj të shpëtimit, ministria e mbrojtjes e vendit tha se ushtria turke kishte ndërhyrë për të ofruar mbrojtje, duke lejuar rifillimin e operacioneve të shpëtimit. Dega gjermane e grupit të kërkimit dhe shpëtimit ISAR dhe Agjencia Federale e Gjermanisë për Ndihmën Teknike (TSË) gjithashtu pezulluan operacionet, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

Ora 21:24
Pas 162 orësh, Forcat e Sigurisë të Kosovës shpëtojnë edhe 2 persona nga rrënojat në Turqi

1676233510_085300000a0002425dbf08db0b54d04cw1023r1s.jpg

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave në Turqi edhe 2 persona. Në bashkëpunim me ushtrinë turke, FSK ka arritur të nxjerrë një 45-vjeçar, dhe pas 162 orëve një vajzë 13-vjeçare, që ishin bllokuar nën një ndërtesë.

“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, e cilësoi si “lajm të mrekullueshëm” shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hatay.

“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.

Ora 20:43
VIDEO/ Del e gjallë nga rrënojat vajza e vogël në Siri, motra u sakrifikua për ta shpëtuar nga tërmeti i fuqishëm

Një vajzë e vogël është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit. Të qarat e saj drejtuan specialistët e kërkim-shpëtimit, të cilët arritën ta nxirrnin nga rrënojat në fshatin Afrin në veri të Aleppos.

Vajza e vogël ndodhej në prehrin e motrës së saj, e cila sakrifikoi veten për ta shpëtuar.

 

Ora 20:29
Turqi, fusha me ullinj u nda në dysh nga tërmeti shkatërrimtar

 

Pamjet nga droni tregojnë pasojat e dy tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë që goditën Turqinë dhe Sirinë, duke vrarë më shumë se 33 mijë njerëz. Fuqia e tërmetit është e dukshme në rrjedhjen e krijuar në një ullishte në Hatay, një nga zonat më të prekura.

Ora 18:25
Tërmeti i fuqishëm në Turqi, emocionon e mbijetuara: Dhimbja është e madhe, s’kam asgjë për të humbur ndaj s’kam frikë

1676222765_fh.JPG

Serizan Agbas, 61 vjeç, ka fjetur në një karrige në kopshtin e një shkolle që kur tërmetet shkatërruan rajonin juglindor të Turqisë më 6 shkurt.

Blloku i apartamenteve të Agbas është ende në këmbë, por u konsiderua jo i sigurt për të qëndruar brenda. Kështu që ajo qëndron jashtë dhe ndan zjarrin dhe ushqimin me shpëtuesit.

“Dhimbja jonë është e madhe. Unë kam vetëm 15 lira [0.80 dollarë] në xhep, nuk kam as një cigare”, tha ajo për Al Jazeera. "Nuk kam asgjë për të humbur tani, kështu që nuk kam frikë."

Ora 16:02
Tërmeti 7.9 ballë i 6 shkurtit, shkon në 33,181 numri i viktimave në Turqi dhe Siri

1676214168_61feb1c8e22c410290a5c8c1206e8091.jpg

Numri i të vdekurve nga tërmeti i kalon 33,000 në të gjithë Turqinë dhe Sirinë ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se kjo shifër shokuese pritet të rritet

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri pas tërmetit katastrofik të së hënës ka arritur në 33,181, sipas shifrave të fundit.

Në Turqi janë 29,605 viktima dhe mbi 80 mijë të plagosur, në Siri 3,576 viktima

Tërmeti 7.9 ballë, vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit për njerëzit nën rrënoja

Ora 15:58
Asnjë i mbijetuar nga fëmijët e ekipeve të volejbollit në Turqi! Hoteli 7 katësh kthehet në ‘varrezë’! Vdiqën fëmijë 12-14 vjeç

 

Shpresat për ekipin e volejbollit që u sistemua në 3 shkurt në hotelin Isias në në Adiyaman, i cili u shkatërrua gjatë tërmetit në Kahramanmaras, u shuan përfundimisht

Streha e tyre e fundit, hoteli Isias u kthye në varr.  Nga grupi i volejbollit prej 39 personash, vetëm 5 persona mundën të mbijetonin, 25 ishin nxënës të një kolegji. Ky grup përbëhej nga ekipet e volejbollit për vajza dhe djem të Kolegjit Turk Maarif të Famagustës.

Sportistët e vegjël ishin 12-14 vjeç. Hoteli 7 katësh Isias, ku ata qëndruan, u shkatërrua nga tërmeti i fuqishëm, duke mos lënë asnjë të mbijetuar nga fëmijët. Kërkimet për ta zgjatën disa ditë, por ekipet e shpëtimit nuk mundën të nxirrnin asnjë të gjallë nga rrënojat.

Të gjithë volejbollistët meshkuj dhe femra të Kolegjit Turk Maarif të TRNC Gazi Famagusta, të cilët erdhën në Adiyaman për turneun, humbën jetën nën rrënojat pas tërmetit. 25 ishin sportistë të moshës 12-14 vjeç, 9 prindër, 1 mësues, 2 ndihmësdrejtorë dhe 2 trajnerë.

Tërmetit me magnitudë 7.7 që ndodhi në orën 04:17 të mëngjesit të 6 shkurtit i mbijetuan vetëm 4 prindër dhe 1 zëvendësdrejtor.

Ora 14:37
Pas më shumë se 147 orësh, 10 vjeçarja në Turqi, nxirret e gjallë nën rrënojat

Një tjetër mrekulli ka ndodhur në qytetin Hatay të Turqisë ku pasi kishin kaluar më shumë se 147 orë nga tërmeti, një vajzë 10 vjeçare u nxorr e gjallë nga rrënojat.

“Jam shumë pis, më çoni në banjë”-mësohet të ketë thënë e mitura sapo e kanë nxjerrë nga rrënojat.

Gjithashtu ditën e sotme një 35 vjeçar është shpëtuar nga rrënojat e pallatit 6 katësh në të njëjtin rajon.

Ora 13:26
E moshuara dyshonte se i biri kishte vdekur nga tërmeti, shpërthen në lot pasi i dëgjon zërin: Është njësoj sikur të më kenë dhënë botën

1676146728_167584526926782306.jpg

Një ushtar turk u ngjit në kovën e një ekskavatori të shtunën për të kontrolluar një shtëpi të dëmtuar nga tërmeti në Antakia për një telefon celular që i përkiste një gruaje 75-vjeçare, e cila kishte frikë se djali i saj kishte vdekur pas pesë ditësh pa kontakt.

Gruaja, e quajtur Mama Busra, u kishte kërkuar punonjësve të ndihmës që të gjenin telefonin e saj dhe po priste të thërriste djalin e saj në një park aty pranë ku ishin ngritur tenda për ata që mbetën të pastrehë nga tërmeti shkatërrues i javës së kaluar.

Duke iu përgjigjur kërkesës së saj, një prej ushtarëve u ngjit në ndërtesë dhe gjeti telefonin e saj që i kishte rënë bateria. Një prej personave të pranishëm tha se e njihte djalin e të moshaurës dhe e telefonoi. Pasi ai u përgjigj në telefon e moshuara shpërtheu në lot dhe tha se tashmë ndihej sikur i kishin falur të gjithë botën.

“Është sikur më kanë dhënë botën”, tha Mama Busra për momentin kur dëgjoi zërin e të birit.

Ora 13:16
Ministri i Jashtëm grek drejtuar homologut turk: Mos prisni një tërmet për të përmirësuar marrëdhëniet tona

"Ne nuk duhet të presim një tërmet për të përmirësuar marrëdhëniet tona" theksuan ministri i jashtëm Nikos Dendias dhe homologu i tij turk Mevlut Çavusoglu nga Antiokia, ku ndodhen për të vizituar të prekurit nga tërmeti.

“Prania e Nikos Dendias sot këtu tregon mbështetjen dhe solidaritetin e popullit grek ndaj turqve”- u shpreh Cavusoglou.

Ministri i Jashtëm turk i është referuar veçanërisht solidaritetit të Greqisë që u shfaq menjëherë pas tërmetit. 

“Greqia ishte një nga vendet e para që kontaktoi autoritetet turke menjëherë pas tërmetit dhe për t'u deklaruar se janë të gatshëm të ndihmojnë. Ata dërguan menjëherë ekuipazhet e shpëtimit dhe shumë avionë me ndihma humanitare në zonat e goditura nga tërmeti" tha ai, duke kujtuar vizitën e ministrit të Mbrojtjes Civile Christos Stylianides.

"Unë do të pajtohesha absolutisht me atë që tha Mevlut më parë. Se nuk duhet të presim fatkeqësi natyrore për të përmirësuar marrëdhëniet tona”, theksoi nga ana e tij ministri grek, Nikos Dendias .

Ora 11:57
Tërmeti në Turqi/ Lëshohen 113 urdhërarreste për ndërtesat e shembura nga tërmeti, 12 të arrestuar


Zyrtarët në Turqi thonë se 113 urdhër-arreste janë lëshuar në lidhje me ndërtimin e ndërtesave që u shembën në tërmetin e së hënës.

Policia turke ka marrë tashmë të paktën 12 persona në paraburgim, duke përfshirë kontraktorët e ndërtimit. Ndërkohë, trazirat në Turqinë jugore kanë ndërprerë përpjekjet e shpëtimit në disa vende.

Priten më shumë arrestime - por veprimi do të shihet nga shumë njerëz si një përpjekje për të larguar fajin e përgjithshëm për katastrofën.

Ora 11:00
Nikos Dendias mbërrin në Turqi për të vizituar zonat e prekura nga tërmeti, ministri turk e pret me përqafime (VIDEO)

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka mbërritur në Turqi ku është pritur nga homologu i tij turk, Davut Cavusoglu i cili e ka pritur me përqafime.

Në videon e publikuar në twitter, ministri turk shprehet i lumtur që Greqia ndodhet pranë Turqisë për ta mbështetur në këtë situatë të vështirë.

“Jam i lumtur që miku im Dendias është këtu për të na mbështetur”-shkroi Cavusoglu.

Dy ministrat e jashtëm patën një takim të shkurtër në një sallë pritjeje aeroporti dhe menjëherë më pas hipën në helikopterë të nisur për në zonat e prekura nga tërmeti në provincën Hatay.

 

Ora 10:00
Siri, pengesa për ndihmat humanitare pas tërmetit

14 kamionë me ndihma kaluan të premten (10.02) pikën kufitare Bab al-Hawa midis Turqisë dhe Sirisë. Nga atje kamionët e OKB-së vazhduan drejt Idlibit për të çuar atje batanije, dyshekë, tenda dhe llamba diellore për njerëzit në zonën e tërmetit në Siri. Ndihmat do të mjaftojnë për rreth 1.100 familje, tha një zëdhënës i OKB-së në Gjenevë. Por në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë, jetojnë mbi katër milionë vetë. Qindra-mijëra ka të ngjarë që janë prekur drejtpërdrejt nga tërmeti i 6 shkurtit që tronditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore. Edhe para katastrofës natyrore, nëntë nga dhjetë vetë që jetojnë përreth Idlibit vareshin nga ndihmat nga jashtë, sepse në Siri vazhdon që nga viti 2011 një luftë civile .

Pra për të lehtësuar nevojat më urgjente të njerëzve në veriperëndim të Sirisëdo të duheshin jo vetëm 14 kamionë, por qindra, thotë Kelly Petillo, eksperte për Sirinë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).

Problem për ndihmat regjimi i Bashar al-Asadit

Regjimi i Bashar al-Assad në Damask ka vite që pengon që ndihmat humanitare që të arrijnë në veri-perëndim të Sirisë, sepse zona përreth Idlibit është nën kontrollin e rebelëve dhe të islamistëve.

"Që nga viti 2014 ka një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që lejon ndihmën përtej kufirit turk – edhe pa pëlqimin e regjimit të Asadit”, shpjegon Petillo në  intervistën për DW. "Por që nga viti 2018 Rusia ka arritur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së edhe me mbështetjen e Kinës, që numri i kalimeve kufitare që mund të përdoren për këtë qëllim të vijë gjithnjë duke u kufizuar”.

Bab al-Hawa tani është i vetmi vendkalim kufitar i cili lejohet të përdoret nga OKB-ja për të dërguarndihma. Me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të hapen edhe vendkalime të tjera kufitare për të lejuar dërgimin e sa më shumë ndihmave. Megjithatë sipas Petillos "për fat të keq nuk ka shumë gjasa" që presidenti rus dhe aleati i Asadit, Vladimir Putin, të pajtohet me këtë. Dhe si të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia mund të bllokojë me veton e saj çdo vendim të tij.

Ndihma nga ajri

Cilat janë mundësitë që i kanë mbetur OKB-së? Hedhja e furnizimeve me ndihma nga ajri është një nga këto mundësi, thotë Kelly Petillo, eksperte për Sirinë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR). Po ashtu mund të mendohet edhe për përdorimin e kalimeve të tjera kufitare nga Turqia në Siri pa pritur një rezolutë përkatëse nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. "Kjo do të ishte një masë e njëanshme dhe sigurisht që i bën gjërat shumë të komplikuara," thotë Petillo. "Por në mungesë të alternativave dhe duke pasur parasysh shkallën e emergjencës, gjithçka duhet provuar”./DW

Ora 08:15
U nxorr nga rrënojat pas 133 orësh, i riu në Turqi: Po luaja playstation kur ra tërmeti! Mbijetova duke pirë pije të gazuar

Një i ri në Turqi është nxjerrë nga rrënojat pas 133 orësh. Pasi ekipet e kërkim-shpëtimit e nxorrën nga rrënojat dhe e çuan në spital, i riu në Kahramanmaras tha se kishte qenë duke luajtur playstation gjatë momentit kur kishte rënë tërmeti.

Ndërsa shtoi mes të tjerash tha se kishte mbijetuar gjatë gjithë këtyre ditëve nën rrënoja duke pirë pije të gazuar. Tashmë ai është nën kujdesin e ekipeve mjekësore dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Ora 08:01
Pamje të rënda nga operacioni për gjetjen e të mbijetuarve në Turqi, ndërtesa zë poshtë grupet e kërkim-shpëtimit

Në Turqi gjatë operacioneve për të gjetur të mbijetuar, një incident ka ndodhur ku një ndërtesë ka zënë poshtë ekipet e kërkim-shpëtimit. Ngjarja ndodhi në Hatay ndërsa pamjet u bënë virale nëpër rrjete sociale.

Sipas mediave vendase, një anëtar i ekipit të shpëtimit pësoi dëmtime të lehta por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?