Artisti Zef Paci kuron ekspozitën e piktorit Edi Hila. 8 veprat e “Territore të përvojave të jetuara” gjenden në dy sallat e Qendrës për Hapje e Dialog, në kryeministri... Bëhemi pjesë e rrugëtimit figurativ nisur nga “Oda në bulevard”, në Pedonalen e Shkodrës së tij.
“Kur thotë ‘Territoret e përvojës së jetuar’ e ka fjalën për përvoja sa konkrete aq edhe diçka shpirtërore”, shprehet studiuesi i historisë së artit dhe kuratori Zef Paci.
Pikturat janë realizuar gjatë viteve të fundit, kur shoqëria u përball me një sërë rrethanash katastrofike nga tërmeti, pandemia te lufta në Ukrainë.
“Në shumicën e rasteve janë tema që artisti i ka marrë në dorë dhe më përpara, në qytetin e lindjes, rrugët, tendën, makinën , karuzelin, cikrun... Tema e re është tema e nëntokës, e metros”, tregon më tej kuratori.
Nga rrugët e zbrazura tek objektet e përkohshme, apo “Cirku i prishur”, në pikturat e Hilës, ndihet fryma e melankolisë.
“Dhe në fakt në të gjithë këto piktura që janë në sipërfaqe nuk shohim prani njerëzore. Tenda mund të ketë dikë brenda po ne se dimë, rrugët janë bosh, cirku është i braktisur dhe njerëzit janë në nëntokë, kua duket një situatë pezulli. Dhe besoj se ky ka qenë preokupimi i autorit”, thotë Paci.
Izolimi i njerëzve, prej mungesës së komunikimit, apo dialogimit virtual që shpesh shpërfaqet sipërfaqësor. Xhami që ndan njerëzit në metro siç tregon kuratori mund të perceptohet edhe si një simbolikë...
“Po pikërisht aty nxjerr në pah këtë lloj të izolimit që njerëzit dhe kur janë bashkë janë vetëm. Pandemia ekzaltoi komunikimin virtual, duke shmangur kontaktin fizik e lloj shkëputje”, shton më tej
Konsiderohet si një nga piktorët më me peshë bashkëkohorë Edi Hila.
“Është persekutuar për risinë e modernizmin te ‘Mbjellja e pemëve’ dhe mandej në fshehtësi pa u detyruar t’u nënshtrohet kontrolleve demagogjike të kohës ai e ka vijuar dhe e ka rifilluar mbas viteve ‘90.
Veprat e tij janë ekspozuar në Bienalen e Venecias, në “Documenta 14”, në Bienalen e Liverpulit në 2009-ën etj. Edhe kjo ekspozitë pas COD-it, ku qëndron e hapur deri në 10 gusht, rrugëton në galerinë Rafaella Cortese në Milano.