Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në intervistën për Report TV, foli edhe për projektligjin për shërbimin e jashtëm të Shqipërisë. Ministri theksoi se bëhet fjalë për një paketë të mirë që do të mundësojë “riformatimin” e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë jashtë vendit, duke shtuar që shpresojnë ta miratojnë në sesionin e ri parlamentar.
“Është paketë mundësish të mira për të riformatuar në kuptimin më të mirë të fjalës përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë jashtë. Flasim për vitin 2025, realitete që pretendojmë dhe shpresojmë që ta sjellin shërbimin e jashtëm në shekullin e 21-të ku të kemi përfaqësim jo vetëm gjeografik, por edhe tematik, ku të drejtat dhe mundësitë e diplomatëve të shtohen elementë që kanë qenë të nevojshëm të përshtaten në këto vite, të përafrohen me realitetin ku jemi dhe shpresojmë që me sesionin e ri të shtatorit të miratohet ligji me ndryshime të mira të punës së këtij shërbimi.”, u shpreh Hasani.
I pyetur për testimin e diplomatëve, ministri u shpreh se ka pasur vlerësim pune të përgjithshëm ndërsa tani ata do t’i nënshtrohen një testi sikurse çdo punonjës tjetër i administratës qoftë mësues, mjekë, ushtarake etj. Sipas ministrit, krijimi i akademisë për diplomatët do t'i ndihmojë ata në përparimin e karrierës së tyre.
“Nuk është kryer asnjëherë një vlerësim. Flasim për testim të përgjithshëm që shumë elementë të administratës e kalojnë, mësuesit, mjekët, ushtarakët e policët, të cilët kalojnë filtra të ndryshëm testimesh dhe marrjesh në angazhim të punës së tyre. Ka vetëm një vlerësim pune periodik si për gjithë nëpunësit civilë, ndërkohë që pjesa e trajnimit dhe angazhimit të diplomatëve tanë mungon prandaj është pikë e rëndësishme që është krijimi i akademisë diplomatike që të ndihmojmë kolegët diplomatë në përparimin e karrierës së tyre”, shtoi ministri.
Lajmi kryesor:
Hasani për Report Tv: Të ndalet Irani! Raportet me Greqinë duhen kuruar, çështjet t’i zgjidhim pa kushte, duke parë njëri-tjetrin në sy (VIDEO)
Xh.D/I.M/ReportTv.al
