KQZ zotohet që në 11 maj, të mos shohim më problemet e zgjedhjeve të shkuara, ku shumë qendra votimi, përfshirë dhe atë ku votoi Edi Rama, nuk funksionuan për disa orë, sepse nuk punonin pajisjet e identifikimit elektronik.
Nënkomisionerja Lealba Pelinku tha se KQZ ka shpenzuar 1 milionë euro që këto pajisje të rifreskohen.
“Kemi marrë masa shtesë, që të mos kemi probleme, pajisjet janë rifreskuar me softwar. Po kryhet testimi, pastaj do bëhet përgatitja”, tha Pelinku.
KQZ kësaj radhe është optimiste për mbulimin e gjithë vendit me pajisje elektronike identifikimi, pasi janë gjetur persona për 5225 qendrat e votimi, që do të përdorin pajisjen.
“Kemi vetëm 31 QV ende të zbuluara, një shifër me e ulët se e viteve të tjera, besoj që deri në fund, do t’i gjejmë personat”, u shpreh nënkomisionerja.
Identifikimi elektronik i votuesve ka filluar që në vitin 2021, dhe pajisja kryqëzon kartën ose pasaportën me shenjën e gishtit të votuesit. Ajo nuk lejon që dikush të votojë për dikë tjetër, dhe as të votohet disa herë. Sistemi lejon të votojnë vetëm ata zgjedhës që janë të asaj qendre votimi. Këto zgjedhje nuk pati tolerime, dhe askush nuk mund të votojë me pasaportë ose kartë ID të skaduar.
Komente
