ARGJENTINË - Gjykata e Apelit në San Isidro në periferi të Buenos Aires vendosi dje që neurokirurgu Leopoldo Luque, psikiatrja Agustina Cosachov dhe gjashtë pjesëtarë të tjerë të kujdesit shëndetësor duhet të dalin në gjyq për vdekjen e yllit të futbollit, Diego Armando Maradona.
Një ekip prej tre anëtarësh i akuzës i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm i San Isidro, John Broyad, i akuzoi tetë të pandehurit si përgjegjës të "vrasjes së thjeshtë me keqdashje eventuale", e cila mbart një dënim nga 8 deri në 25 vjet burg.
Sipas mendimit të një anëtari të gjykatës, tetë të pandehurit nuk respektuan “mandatin për të vepruar atë praktikë të mirë mjekësore të vendosur në mendjen e tyre”, dhe se si “garantues” të gjendjes së ish-futbollistit, kishin mundësinë të “përmbysjes” së gjendjes së tij kardiake dhe nuk e bënë këtë. Në marrjen e vendimit të saj unanim prej 248 faqesh, gjykata gjeti se vëmendja e dhënë ndaj ish-legjendës së futbollit ishte "e pamatur" dhe "e mangët".
Sipas burimeve gjyqësore, tetë të pandehurit mbeten në liri përpara se gjykimi të nisë në vitin 2024. Përveç Luque dhe Cosachov, të pandehur të tjerë përfshijnë psikologun Carlos Angel Diaz, mjeken koordinuese Nancy Forlini, koordinatorin e infermierisë Mariano Perroni, mjekun klinik Pedro Pablo Di Spagna dhe infermierët Ricardo Omar Almiron dhe Dahiana Gisela Madrid.
Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare më 25 nëntor 2020, në shtëpinë e tij ku ndodhej pas daljes nga spitali, duke u shëruar nga operacioni në kokë. Pas vdekjes rezultoi se ai vdiq si rezultat i "edemës akute pulmonare dytësore nga insuficienca kronike e përkeqësuar e zemrës" me një "kardiomiopati të zgjeruar".