Tetori rozë, 64-vjeçarja tregon luftën prej 2 vite e gjysmë me kancerin e gjirit: Gjeta forcë! Mjekët: Ka raste të reja, duhet ekzaminim

1 Tetor, 17:27| Përditesimi: 1 Tetor, 18:29

  • Share

Prej gati 2 vite e gjysmë 64 vjeçarja nga Përmeti Egla Takon është përballur me sfidën më të madhe të jetës së saj.

Eglës i është dashur të përballet në dyert e spitalit për të luftuar kancerin e gjirit, pas diagnostifikimit të papritur 30 muaj më parë. Përjetimi na tregon 64-vjeçarja në fillim ishte dramatik por gjeti forcën për ta mundur atë, me dëshirën e vetme për të gëzuar çdo ditë të jetës, sikur të ishte e fundit.

“Në fillim nuk e përballova mirë të them të vërtetën, po pastaj e mora një guxim në vetvete dhe thash ça është shkruar është shkruar, unë nuk e kthej dot as nga lotët, as nga mërzia e nga asgjë. Njeriu duhet të gëzoj ditën e sotme, nesër askush se din se çfarë mund t’na ndodh të gjithëve. Kjo botë është portokalle, sot më gjeti mua nesër një tjetër, ndaj forca duhet gjetur tek vetja në rradhë të parë. Besimi në veten tënde, pastaj vazhdova me kujdesin me ushqimet. Konsumimi i këtyre karbohidrateve, më pas fillon të mëson vetë sëmundja”, tha ajo.

Që të sfidosh kancerin lufta duhet të nisë nga pranimi, ndërsa forcën Egla thotë se e nis nga familja.

“Mbështetjen familjare e kam pasur të shkëlqyer, si nga bashkëshorti, nga ana e tre djemëve edhe nga kunata. Është e shkëlqyer, edhe njerzit që të rrethojnë duhet të të japin pak dorë”, tha ajo.

Apelin në këtë nisje të tetorit rozë, ashtu si mjekët, edhe Egla e ka për të gjitha gratë dhe vajzat.

“Kontrollet e herë pas hershme, të mos kenë turp as nga kontrollet e as nga mamografia e asgjë. S’ka asgjë për turp”, tha ajo.

Edhe në Shqipëri, sipas specialistëve nga viti në vit vjen duke u rritur numri i të prekurve me kancer të gjirit edhe për shkak të rritjes së depistimit, por shqetësim madhor mbetet ulja e moshës së grave dhe vajzave që diagnostikohen me këtë sëmundje.

Klejda Mati, mjeke Onkologe, shprehet se këtë vit ka raste të reja që janë diagnostikuar me kancer gjiri.

“Ky tetor na gjen më keq sa i takon rasteve të reja, sepse po rritet dhe në fakt jo vetëm  në moshat mbi 60 vjeç, por edhe tek të rejat. Sipas statistikave ndërkombëtar 10% e grave me kancer gjiri janë nën 45 vjeç, dhe kjo është një shifër alarmante sa i takon tumoreve te moshat e reja. Nga ana tjetër na gjen mirë nga ana e trajtimeve, të cilat nuk vijnë vetëm për fazat e zhvilluara por, edhe për stadet e hershme", tha ajo.

Stili i jetesës dhe rritja e moshës së grave e vajzave në lindjen e parë janë ndër faktorët kryesorë përmendin mjekët në uljen e moshës së të prekurave me kancer të gjirit.

“Janë të shumta faktorët që çojnë në uljen e moshës të pacienteve që sëmuren me kancer. Kryesisht ata janë të lidhura me faktorët e stilit të jetesës, që kanë të bëjnë si me ushqyerjen, jetën tonë por, edhe me aktivitetin fizik. Nëse i referohemi kancerit të gjirit e lidhim me lindjen dhe ushqyerjen me gji. Gratë po lindin më vonë, dhe po ushqejnë më pak me gji, edhe për shkak të ngarkesës së përditshme. Jeta e rrëmbyeshme na ka kthyer në një faktor risku. Edhe faktori gjenetik nga ana tjetër. Duhet të jetë një bashkërendim të këtyre.

Për uljen e riskut të avancimit të kancerit të gjirit, mjekët rekomandojnë që gratë duhet të nisin mamografinë në moshën 40 vjeçare.

“Mjekimin e duhur kemi mamografinë,  për shkak të uljes së moshës rekomandojmë mamografi në moshë të re, e para në moshën 40 vjeçare pastaj vendos një kalendarë depistimi për të diagnostikuarit për të kuptuar sesa herë duhet të bëjë në vitet apo ndonjë trajtim tjetër”, tha ajo.

Me nisjen e tetorit rozë, me fushata ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit, edhe autoritetet më të larta në vend si Presidenti Begaj, Kryeministri Rama por edhe ministrja e Shëndetësisë Koçiu bënë thirrje për gratë dhe vajzat që të bëjnë mamografinë falas. Nga Elbasani me nisjen e fushatës “Ia vlen të jetosh", ministrja tha se përgjigjet do të merren në kohë rekord në e-Albania.

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?