Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ka vizituar Poliklinikën Qendrore në Tiranë, ku është instaluar mamografia e re. Për të rritur ndërgjegjësimin dhe aksesin në shërbimin e mamografisë, Ministrja e Shëndetësisë tha se gjatë muajit tetor, do të ofrohet shërbimi me orar të zgjatur.
"Me këtë investim të ri, unë besoj që i kemi dhënë zgjidhje për gratë e kryeqytetit, sepse shmangen vajtjet nëpër spitale. Poliklinika është gjithmonë shumë më e aksesueshme për të bërë ekzaminime të shpejta. Dua të ftoj të gjitha gratë për të mos neglizhuar kontrollin ndaj vetes, për të vajtur tek mjeku i familjes, për të kryer vetkontrollin por mbi të gjitha për të kryer mamografinë. Është një ekzaminim falas që ofrohet në Tiranë në Poliklinikën Qendrore, në maternintetin ‘Mbretëresha Geralidinë’, në QSUT në Spitalin Onkologjik, ashtu sikurse në të gjithë spitalet rajonale në Shqipëri, çdo grua ka mundësi për të vajtur gjatë gjithë orëve të ditës, deri në orën 8 pasdite në çdo ditë të javës gjithashtu edhe ditën e shtunë deri në orën 2 të drekës, çdo grua mundet të vijë dhe të kryejë mamografinë falas", bëri me dije Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se falë investimeve të kryera në 3 vitet e fundit, është përmbushur premtimi për të patur mamografi në çdo spital rajonal.
"9 spitale rajonale dhe poliklinika janë pajisur me aparatura të reja mamografie. Tashmë çdo spital rajonal kudo në Shqipëri ka pajisje mamografie. Është shumë më e lehtë për gratë, jo vetëm përgjatë muajit tetor që është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, por përgjatë 365 ditëve të vitit, të shkojnë në spitalet rajonale dhe të bëjnë mamografinë falas", u shpreh Manastirliu.
Teka theksoi se terapia e shtrenjtë e herceptinës për trajtimin e këtyre sëmundjeve ofrohet në spitalet publike falas, Manastirliu tha se janë janë 700 raste që diagnostikohen nga tumori çdo vit.
"Ne ja dolëm që të bënim një përmbushje të detyrimit që ne kishim dhe vijojmë të kemi për të gjitha gratë me këto sëmundje, përsa i përket terapisë së shtrenjtë te herceptinës, që tashmë nuk ka absolutisht asnjë problem furnizimi me këto terapi, jo vetëm nëpërmjet sistemit spitalor por edhe nëpërmjet rimbursimit të këtyre terapive inovatore të përfshira tashmë në rimbursim. Një terapi e cila mbulohet 100% nga shteti për të gjitha gratë. Janë rreth 700 raste tumori në vit të diagnostikuar tek gratë përsa i përket kancerit të gjirit", tha Manastirliu.
Duke folur për trendin pozitie të disa indikatorëve, eksperti i Instituti të Shëndetit Publik, prof. Alban Ylli, tha se synimi është të arrihet në 50 mijë mamografi në vit.
"Në Shqipëri ne shohim tre indikatorë, të cilët janë positive kur janë të lidhur me njëri-tjetrin. Ne shohim rastet e reja, të cilët kanë një rritje të lehtë. Shohim shtrimet në spital të cilat kanë një rritje shumë të madhe, rreth 30%. Dhe kur krahasojmë rastet e reja me shtrimet në spital, ne kuptojmë që gjithmonë e më tepër, sidomos në 3-4 vitet e fundit, gratë po e shfrytëzojnë më shumë sistemin shëndetësor dhe me shumë gjasë kjo është e lidhur me përmirësim të aksesit por edhe me ofertën më të madhe, sidomos medikamentet. Nga ana tjetër ne krahasojmë vdekjet me rastet e reja. Nëse kemi gjithmonë e më shumë raste të kancerit të gjirit, kjo nuk do të thotë se kemi më shumë vdekje, përkundrazi kemi më pak vdekje. Pra duket që gjerat janë futur në atë atë prirje, të cilën ne të shëndetit publik, e dëshirojmë", theksoi Ylli.
Janë më shumë se 700 raste të reja me kancerin e gjirit që diagnositohen çdo vit në Shqipëri, duke qenë kanceri më I shpeshtë tek gratë. Gjatë muajit Tetor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë fushatën e ndërgjegjësimit “Tetori rozë”, duke rritur edhe aksesin në shërbimin e mamografisë, me synim diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Sipas Urdhrit të MSHMS, gjatë gjithë muajit tetor, në kabinetet e mamografisë, shërbimi do të ofrohet me orar të zgjatur, nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00. Shërbimi i mamografisë është i shtrirë në Tiranë dhe në të gjitha spitalet rajonale. Pikat e këtij shërbimi janë në spitalet: Vlorë, Durrës, Fier, Lezhë, Kukës, Dibër, Berat, Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, si dhe në Poliklinikën Qendrore Tiranë, Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.