Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku morën pjesë sot në aktivitetin ndërgjegjësues me gra të punësuara pranë kompanisë “Yura” në Fier.
Kjo ndërmarrje koreane e cila ka nisur të operojë prej vitit 2019 me statusin e investitorit strategjik, tashmë ka 1903 të punësuar ku 120 prej tyre janë gra. Në kuadër të tetorit rozë, për punonjëset e kësaj kompanie u mundësua kryerja e mamografisë nëpërmjet njësive të lëvizshme.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu tha se këto njësi të lëvizshme po i shtrijnë në të gjithë vendin, edhe në zonat më thella rurale aty ku gruaja shpesh merret me punët e përditshme duke e lënë veten pas dore.
“Po i çojmë aty ku është e pamundur për të aksesuar lehtësisht një qendër shëndetësore, një spital bashkiak apo rajonal dhe janë mundësia më e mirë për t’i ofruar grave, vajzave, zonjave diagnostikim për të kapur në kohë një sëmundje që për fat të keq është një sëmundje që po përhapet shpejt. Lajmi i mirë është që mbi 90% e rasteve që kapen shpejt në kohë janë plotësisht të kurueshme.
Kështu që jo pa qëllim i dedikojmë një muaj të tërë ndërgjegjësimi, por që ky ndërgjegjësim nuk do duhet të jetë vetëm në tetor. Do të duhet të jetë përgjatë çdo dite të vitit”, theksoi Koçiu, duke shtuar se njësitë e lëvizshme të mamografisë do të jenë në dispozicion gjatë gjithë muajve të vitit.
Më tej Koçiu u ndal edhe të investimet e bëra nga qeveria dhe MSHMS në spitalet rajonale ku janë mundësuar njësitë e mamografisë dhe të gjitha gratë mund të kryejnë vizita falas si dhe janë fuqizuar kapacitetet kuruese. Ajo tha gjithashtu se përgjatë të gjithë muajit, nga e hëna në të premten, kontrollet do të ofrohen pa pasur nevojë për të kaluar paraprakisht në sistemin e referimit nga ora 08:00-20:00.
“Por jo vetëm njësitë e mamografisë, por kemi dhe terapi. Nuk është më sot vetëm kimioterapia ajo kura tradicionale për të luftuar këtë sëmundje. Sot kemi radioterapitë, imunoterapitë që janë gjithashtu trajtime inovatore të cilat mundësojnë mësë miri kurimin e kësaj sëmundje. Ne e kemi hapur gjatë gjithë muajit tetor pa sistem referimi, pikërisht për të lehtësuar sa më shumë mundësinë për të aksesuar mamografitë dhe oraret janë të zgjatura.
Nëpërmjet e-Albania kemi bërë të mundur që të merrni një mesazh në portofolin “dokumentet e mia” që do duhet të bëni diagnostikimet, vlerësimet dhe kontrollet periodike. Për të lehtësuar akoma më shumë edhe vlerësimin e ekzaminimeve, kemi krijuar një ekip të posaçëm me radiolog të cilët bëjnë vlerësimet në kohë reale dhe do t’jua japin dhe përgjigjet e këtyre diagnostikimeve në kohë reale”, shtoi Koçiu.
Ndëekohë Belinda Balluku e konsideroi të rëndësishëm zhvillimin e këtij aktiviteti ndërgjegjësues për mbrojtjen e shëndetit të grave
“Kujdesi për shëndetin e grave duhet të jetë i vazhdueshëm dhe çdo ditë të vitit sepse një grua nuk mban përgjegjësi vetëm për shëndetin e saj. Një grua është përgjegjësi për familjen e saj, për fëmijët dhe për prindërit. Kështu që sa herë e lini veten pas dore, kujtohuni sa persona keni në përgjegjësinë tuaj dhe këtu flas vetëm për familjen, nuk flas edhe për ato që ndërtojnë çdo ditë punën, ekonominë dhe që drejtojnë sektorë, ndërmarrje”, tha Balluku.
kerkoni te largoni venendjen nga aferat korruptive...dy ministre per ne SPAK JENI.....
Përgjigju