Foto ilustruese

Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit! Ministrja e Shëndetësisë dhe Luiza Gega mesazh sensibilizues: Bëj mamografinë, vrapo për jetën

1 Tetor 2022, 08:59| Përditesimi: 1 Tetor 2022, 15:42

  • Share

Kanceri i gjirit, është sëmundja që u merr jetën miliona grave kudo në botë. Për të luftuar këtë sëmundje, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Me një fjongo rozë dhe me më shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, mund të shpëtohen jetë.

Fillimi Tetorit nënkupton fillimin e muajit të ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit. Muaji i vetëdijesimit të Kancerit të Gjirit, ndihmon në rritjen e vëmendjes dhe mbështetjes për vetëdijen, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, bashkë me kampionen e atletikës Luiza Gega, përmes një mesazhi, i kanë bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave, për të mos neglizhuar kontrollin e gjirit. Në muajin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, ministrja Manastirliu i ka bërë thirrje të gjitha grave të nxitojnë të bëjnë mamografinë.

Ndërkohë Zonja e Parë, Armanda Begaj, përmes një mesazhi sensibilizues iu drejtua të gjitha grave shqiptare, familjeve të tyre dhe shoqërisë në tërësi: 'Le t’u gjendemi pranë me mbështetje, inkurajim, optimizëm dhe energji pozitive. Sepse një grua e shëndetshme do të thotë një familje e lumtur dhe një familje e lumtur do të thotë një shoqëri e shëndetshme!'

Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 femra. Simptoma e parë e dukshme që shfaq kanceri i gjirit është një gungë që ndihet ndryshe nga pjesa tjetër e indeve të gjirit. Më shumë se 80% e rasteve me kancer gjiri janë zbuluar kur femra ndjen një gungë në gji. Kanceri i hershëm i gjirit zbulohen nga një mamografi.

Shumica e simptomave të çrregullimeve të gjoksit, duke përfshirë shumicën e gungave, nuk paraqesin domosdoshmërisht kancer gjiri. Megjithatë, shfaqja e një simptome të re duhet marrë seriozisht në konsideratë nga të dyja palët si pacientët ashtu edhe nga doktorët e tyre, për mundësinë e një kanceri gjiri, ku ky i fundit mund të shfaqet në pothuajse çdo moshë.

Ora 13:38
Tetori Rozë, Ministrja e Shëndetësisë me Luiza Gegën mesazh ndërgjegjësues për kancerin e gjirit: Bëj mamografinë, vrapo për jetën

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, bashkë me kampionen e atletikës Luiza Gega, përmes një mesazhi, i kanë bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave, për të mos neglizhuar kontrollin e gjirit.
Në muajin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, ministrja Manastirliu i ka bërë thirrje të gjitha grave të nxitojnë të bëjnë mamografinë.

“Jemi bashkë me kampionen tonë Luizën, për t’i bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave, që në këtë Tetor Rozë, të marrin pak kohë për t’u kujdesur për veten; për të kryer kontrollin periodik dhe mamografinë. Në Tiranë por edhe në spitalet rajonale dhe përmes mamografisë së lëvizshme, kemi garantuar shërbimin e mamografisë, një ekzaminim që ofrohet falas për çdo grua, në çdo ditë të vitit. Tumori i gjirit është plotësisht i trajtueshëm nëse disgnostikohet në kohë dhe ne kemi garantuar terapitë falas për çdo grua. Nxito të bësh mamografinë! Bëhu dhe ti kampione e shëndetit“ – tha Manastirliu.

Kampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega, i’u bashkua kauzës me këtë mesazh:

“Jemi bashkë për të çuar zërin tonë te çdo grua! Mos e lini për nesër kujdesin për veten. Bëje mamografinë sot! Kontrolli i hershëm shpëton jetën!”- u shpreh Gega.

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nis sot dhe do të vijojë përgjatë gjithë muajit një fushatë ndërgjegjësimi për tetorin rozë me moton “Vrapo për jetën”.

Ora 13:04
‘Tetori Rozë’, Zonja e Parë, Armanda Begaj mesazh sensibilizues: Le t’u gjendemi pranë njëra-tjetrës për optimizëm dhe energji pozitive

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë mbështesin përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, në kuadër të gjithëpërfshirjes së aktorëve institucionalë dhe shoqërisë për këtë çështje me rëndësi jetësore. Zonja e Parë Armanda Begaj u drejtohet përmes një mesazhi sensibilizues të gjitha grave shqiptare, familjeve të tyre dhe shoqërisë në tërësi.

‘Gratë nuk lindin të forta, ato bëhen nga stuhitë nëpër të cilat kalojnë. Fushata ndërkombëtare “Tetori Rozë” është një nismë ndërgjegjësuese dhe solidariteti për të gjitha gratë, veçanërisht për ato që përballen me sfidën e madhe të luftës ndaj kancerit të gjirit. Unë i bashkohem me zemër kësaj nisme për ta jetuar Tetorin si muajin e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sepse gjithnjë e më shumë ka vend për optimizëm, sepse gjithnjë e më shumë gra po e mundin kancerin e gjirit përmes depistimit, kontrollit periodik dhe zbulimit të hershëm të këtij armiku të jetës. Ndaj në këtë muaj dhe jo vetëm, le të ftojmë njëra-tjetrën, të afërmit dhe miqtë tanë që t’u gjendemi pranë nënave, bashkëshorteve, motrave, bijave e mikeve, të flasim për rëndësinë e madhe të informimit, edukimit dhe parandalimit. Le t’u gjendemi pranë me mbështetje, inkurajim, optimizëm dhe energji pozitive. Sepse një grua e shëndetshme do të thotë një familje e lumtur dhe një familje e lumtur do të thotë një shoqëri e shëndetshme! Së bashku për jetën!”- thuhet në mesazhin e plotë Zonjës së Parë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?