Shëndeti

Teuta Dhima: Leximi i bën mirë shëndetit dhe mirëqenies mendore

19 Korrik, 21:51| Përditesimi: 19 Korrik, 21:53

  • Share

E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, bibliografja Teuta Dhima trajtoi rëndësinë e leximit si një formë efikase terapie, sidomos gjatë periudhës së verës kur njerëzit kanë më shumë kohë të lirë.

“Lexohet më shumë në verë dhe kjo nuk është thjesht një mit,” tha Dhima.

Ajo shpjegoi se përveç argëtimit, libri shërben si një përmbushës shpirtëror dhe një mjet i fuqishëm psikologjik.Leximi ndihmon në largimin nga gjendjet e apatisë, ankthit dhe stresit të përditshëm, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së jetës.Leximi si terapi është një teknikë e përdorur prej shumë kohësh në psikologji dhe psikiatri.

Studiuesit kanë treguar se përqendrimi në një libër mund të ulë ndjeshëm nivelet e kortizolit, hormoni i stresit, duke sjellë një gjendje qetësie dhe relaksi për trurin. Leximi i rregullt përmirëson aftësitë njohëse, përqendrimin, dhe nxit empatinë – aftësinë për të kuptuar dhe ndjerë emocionet e të tjerëve.

“Vlerat qetësuese të leximit tashmë janë të pranuara gjerësisht nga psikologët,” shtoi Dhima, duke theksuar se leximi i librave me përmbajtje pozitive apo edukative mund të ndihmojë në përballimin e sfidave emocionale dhe në zhvillimin personal.Në botën e sotme dixhitale, ku vëmendja shpërndahet lehtë nga rrjetet sociale dhe ekrani i telefonit, leximi i një libri kërkon përqendrim dhe vetëdisiplinë. Megjithatë, investimi në këtë aktivitet ka përfitime të mëdha për shëndetin mendor dhe mirëqenien psikologjike.

Një libër i mirë mund të jetë një “shpëtimtar” në periudha të vështira, duke ofruar njohuri, frymëzim dhe një mënyrë për t’u larguar përkohësisht nga realiteti stresues. Për më tepër, leximi i përditshëm përmirëson gjumin dhe redukton simptomat e depresionit, siç tregojnë disa studime ndërkombëtare.

Në fund, Teuta Dhima nënvizoi rëndësinë e promovimit të kulturës së leximit dhe ftoi publiku të gjejë kohë çdo ditë për ta kthyer librin në një aleat të shëndetit mendor.


Lajmi kryesor:

Kirurgu Arvin Dibra në 'Klinika 24': Mes sfidave të jetës dhe profesionit...


Xh.D/E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?