Kronikë

'Teza e matematikës ishte e vështirë’, maturantët në protestë në të gjithë vendin: Ushtrimet janë marrë fotokopje nga testet e Cambridge! Të ulet pragu i pikëve

12 Qershor 2021, 11:58| Përditesimi: 12 Qershor 2021, 14:05

  • Share

Maturantët në të gjithë vendin kanë protestuar për vështirësinë  e provimit të matematikës duke thënë se teza ishte e formuluar gabim dhe me tendencë dhe se një notë e keqe do të penalizojë të ardhmen e tyre. Protesta nisi fillimisht në Tiranë, ku maturantët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit duke bllokuar rrugën e Durrësit dhe me pankarta nëpër duar kërkonin që Ministria e Arsimit të ulte pikëzimin që behet për ndarjen mes notave që ata të mos digjen në rrugën e tyre të dijes.

Pas Tiranës, maturantët u mbështetët nga moshatarët e tyre edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë si Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Shkodër, Durrës ku kërkesat dhe ankesat për testin e matematikës ishin të njëjta. Ata thanë se pyetjet ishin të një niveli të vështirë dhe se shumica e pyetjeve ishin përkthyer nga testet e Cambridge dhe se në shqip nuk kishin kuptim dhe nuk përshtateshin me ato që kishin mësuar në këto 3 vite.

Maturantet shprehen se ka pasur një formulim të gabuar të tezes nga ministria dhe sistemi i pikëzimit ka qenë ndryshe nga sa i është shpjeguar atyre. Ato shprehen se gjithçka është bëre me tendence nga ministria. Maturantët u shprehën se nesër në 12:30 do të protestojnë sërish para Ministrisë së Arsimit.

Maturantët në Tiranë pas Ministrisë së Arsimit iu drejtuar Qendrës Shërbimeve Arsimore për të protestuar edhe aty. Pas protestave Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se grupi i ekspertëve ka filluar vlerësimin e nivelit të vështirësisë për çdo pyetje në test dhe në rast se rezulton se tejkalon nivelin e parashikuar, do të ketë rishikim të shpërndarjes së pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.

Pak më herët Qendra e Shërbimeve Arsimore në një deklaratë për mediat, tha se teza e provimit nuk kishte asnjë gjë jashtë programit mësimor, ishte e nivelit mesatar dhe se nxënësit e mirë nuk kanë pasur asnjë vështirësi.

 

Ora 13:58
Maturantët protestë edhe në Korçë e Elbasan: Na rrezikohet kërkesa për degën që duam të studiojmë

Nxënës të shkollave të mesme të Korçës, si dhe shkollave të tjera të fshatrave, kanë protestuar paraditen e sotme te drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar Korçë. Shkak i protestës sipas tyre është bërë provimi i matematikës që u zhvillua një ditë më parë. Provim i cili sipas tyre ka qenë i nivelit shumë të vështirë. Nxënësit thanë se prej një viti pjesën më të madhe të mësimit e kanë bërë online dhe më pak të alternuar, ndaj dhe për këtë arsye ata kanë pritur një test tjetër jo vetëm në lëndën e matematikës por edhe në provimet e tjera të maturës shtetërore. Pjesa më e madhe e tyre mes lotëve kanë shprehur indinjatën e tyre pasi iu rrezikohet kërkesa që ata kanë për të shkuar në programet e kërkuara prej tyre.

"Teza është përkthyer nga anglishtja, është bërë padrejtësi ndaj nesh, ne kemi dy vite mësim online dhe kemi patur vështirësi shumë të mëdha. Kërkojmë nga Ministria e Arsimit rivlerësim të tezës", u shprehën ata.

Po ashtu maturantët kanë protestuar edhe në Elbasan. Me pankarta në duar, ata u mblodhën te sheshi qendror, duke kërkuar të rishikohen dhe njëherë pyetjet e provimit.

 

Ora 13:50
Maturantët protestë në Fier: Testi nuk i ishte përmbajtur programit orientues të Ministrisë së Arsimit.

Maturantët në Fier të cilët kishin kundërshtime në lidhje tezën e provimit të matematikës kanë protestuar para drejtorisë arsimore. Maturantët u shprehen të indinjuar dhe të shqetësuar dhe sipas tyre teza nuk i përmbahej nivelit të premtuar dhe se koha nuk ishte e mjaftueshme. Ata paraqiten disa pika të cilat përfshinin dhe një rishikim të sistemit të pikëve dhe vlerësimit për maturantet.  

“Jemi të pakënaqur pasi kishin shkallë të lartë vështirësie dhe nuk ishin përmbajtur programit orientues të Ministrisë së Arsimit. Disa pyetje ishim marrë nga universitetet e huaja dhe ishin përkthyer në shqip dhe është turp që ne kemi marrë atë tezë dje. Duke marrë parasysh që kemi dy vite që mësojmë online nuk u morr parasysh fare ky fakt”, tha një maturant.

“Jemi mbledhur pranë drejtorisë së arsimit për të pritur të na sqaronin në lidhje me të ardhmen tonë pas pakënaqësive që kemi pasur nga teza e matematikës. Ne kërkojmë ndryshimin e pikëzimit ku bëhet ndarja e notave dhe ndryshimi në llogaritjen e mesatares duke i thënë 60 % peshe mesatares së tre viteve dhe 40 % mesatares së provimit të maturës”, tha një tjetër.

Ora 13:11
Maturantët protestë në Gjirokastër: Provimi ka qenë një skandal, ushtrimet janë marrë fotokopje nga testet e Cambridge

Maturantët e Gjirokastrës kanë kundërshtuar  provimin e matematikës, pasi sipas tyre pyetjet nuk ishin hasur asnjëherë ne programet mësimore ne tre vitet e gjimnazit.

“Ushtrimet janë marrë fotokopje nga testet e Cambridge dhe janë fotokopjuar në mënyrë skandaloze, përmbajtja e tyre nuk përkon me tekstet tona çfarë duhet të bëjmë neve pse duhet të penalizohemi për gjëra që as nuk i kemi mësuar dhe nuk ja kemi idenë fare. Të çohen maturantët në të gjithë Shqipërinë, nuk durohet më kjo gjendje”, tha një maturant.

“Provimi ka qenë një skandal dhe një turp, asnjëri nga maturantët nuk pati rezultatin që kishte punuar gjatë 3 viteve. Përveç faktit që mësimi është zhvilluar online, kishte pyetje që nuk i kemi mësuar kurrë”, tha një tjetër.

Ora 12:56
Maturantët protestë në Durrës: Testi jashtë pritshmërive! Kemi tre vite që përgatitemi, na u hodh mundi poshtë

Maturantët e gjimnazeve të Durrësit, publike dhe jo publike kanë protestuar për tezën e provimit të matematikës.

Përfaqësues të maturave të shkollave  të Durrësit u mblodhën para drejtorisë së arsimit dhe protestuan lidhur me shkallën e vështirësisë së tezës. Sipas tyre kjo tezë ishte mbi mesataren e shkallës së vështirësisë çka nuk reflekton mënyrën sesi është zhvilluar mësim gjatë kohës së gjatë të pandemisë.

Maturantët kërkojnë tjetër mënyrë të pikëzimit në mënyrë që ata të mos digjen në rrugën e tyre të dijes.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer nga testi i matematikës dhe ishte mbi nivelin e mesatares. Testi supozohet që të ketë duhet të ketë 3 nivele, ai i lehtë, mesatar dhe maksimal. Kishte pyetje që ishin mbi nivelin mesatar dhe i përafroheshin ushtrimeve të olimpiadave. Duke marrë parasysh se kemi qenë 2 vite online, me orë të shkurtuara na erdhi si bombë dhe hodhi mundin e përpjekjeve të çdo maturanti në Durrës”, tha një maturante.

“Mesatarja ime është 10 dhe edhe pse jam ekselente. Niveli i testit ishte shumë i vështirë dhe koha nuk dilte, pyetjet ishin të formuluara shumë gabim dhe ishin të pakuptueshme. Ne përfaqësojmë çdo gjimnaz të Durrësit, publik dhe jo publik, ne kërkojmë rivlerësim të testit dhe ushtrimeve dhe ulje të tavanit të pikëve”, tha një tjetër.

“Ne protestojmë për provimin e matematikës, kemi tre vite që përgatitemi dhe ishte jashtë pritshmërie. Nuk na u la kohë që të mbaronin ushtrimet edhe pse teza na u dh ame vonesë. Disa pyetje ishin pa kuptim, ne kërkojmë drejtësi dhe duam të hidhemi poshtë”, u shpreh një maturante.

Ora 12:15
Maturantët në Tiranë protestë pas provimit të Matematikës: Teza shumë e vështirë, pyetjet ishin marrë nga interneti! Të ulet pragu i pikëve

 

Maturantët në Tiranë janë ngritur në protestë ditën e sotme, pas provimit të Matematikës, të cilin e konsiderojnë shumë të vështirë. Ata shprehen se pyetjet ishin marrë nga interneti ndërsa kërkojnë uljen e pragut të pikëve dhe rivlerësim.

"Pyetjet ishin kopjuar nga interneti, nuk ishin bërë tamam, ishin të një niveli shumë të lartë provimi. Dëshirojmë që të ulet pragu i pikëve", tha një maturante.

Një tjetër maturante akuzoi Ministrinë e Arsimit se i gënjyen dhe nuk e mbajtën fjalën se provimi do të ishte i thjeshtë dhe nuk do të përfshiheshin pyetje nga njohuritë e marra online.

"Para dy muajsh kemi bërë mbledhje me ministren Evis Kushi dhe ajo na premtoi që nuk do futet në provim njohurit që kemi marrë online. Ky ka qenë një nga provimet më të vështirë në 5 vite, pse ne? Nuk ka të bëjë me notën, por faktin që na gënjyen e nuk i mbajtën premtimet, ministri e turpit. Do protestojmë deri sa të marrim drejtësi, kërkojmë përgjigje për një rivlerësim të provimit", u shpreh ajo.

Komento

Komente

  • Kasem gahinji: 13/06/2021 08:05

    Nga njera ane kerkojme njesim me europen,njohje reciproke te diplomave.Nga ana tjeter protestoje se duam gjera te thjeshtezuara.Shkolla merret ne sezon dhe ne sezonin pasardhes.kjo perben edhe diferencimin mes atyre qe duan te mbrojne nga ata qe duan noten duke zhgarravitur bythen ne asfalt ,apo shkuma party.Matura nuk merret me zhgarravitur bythe ne asfalt ,por ne karrike duke mesuar

    Përgjigju
  • Qytetari: 12/06/2021 18:08

    Çuditem, pse i bejne keto provimet kaq te veshtira, po nxenesit e peses apo te gjashtes nuk kane te drejte te mbarojne maturen? Gjynah per femijet. Turp per ministrine.

    Përgjigju
  • Renata: 12/06/2021 17:26

    Kjo eshte komike. Kaq e habitshme qe nxenesit te protestojne ndaj nje qeverisje nga me te mirat ne bote. Ti kerkohet SHBA ta shpalle Berishen edhe njehere ne liste por te kuqe ama! Ai shejtan i ben keto pune, i trubullon ujin ujkut Rama. Gjynaf.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?