Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka shkarkuar nga detyra një zëvendësministër të vetin, një ditë pasi ai kishte thënë në një televizion se diplomatë ndërkombëtarë kishin “nxitur trazira” në veri të vendit.
Zyra e Kurtit njoftoi të premten se zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, është liruar nga detyra.
Duke folur në KTV të enjten në mbrëmje, Vokrri kishte thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë “që ka nxitur trazira” ishte edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Zyra e Kurtit theksoi se vendimi për shkarkim vjen “pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit”.
Ajo tha se deklaratat e Vokrrit nuk i përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës.
Tensionet në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe, kanë qenë të larta në vitet e fundit.
Ato u rritën në vitin 2022 pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës, pas të cilit kryetarët serbë dhe zyrtarë të tjerë të komunitetit dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në këtë pjesë të vendit.
Tensionet kulmuan në shtator 2023 kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Zveçan, ku u vranë një rreshter dhe tre sulmues.
Prej atëherë, autoritetet kosovare janë mbyllur dhjetëra institucione paralele serb në përpjekje për ta shtrirë autoritetin edhe në atë pjesë të vendit./ REL
Komente
