Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij në Gjykatën Speciale u shpreh se pret të shpallet i pafajshëm pasi akuzat e raportit të Dick Marty-t ndaj tij dhe krerëve të tjerë të UÇK-së nuk qëndrojnë.
Ai shtoi se ishte nënshtruar ndaj pyetjeve të bëra hetues të drejtësisë ndërkombëtare si në cilësinë e dëshmitarit ashtu edhe në atë të dyshuarit dhe si rrjedhojë kërkoi shfajësimin nga të gjitha akuzat për shkak se asnjë prej tyre nuk është provuar.
“Sapo raporti i Dick Martyt mbushi mediat me akuzat e sajuara, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik organesh në Kosovë. Tani e dimë se si unë, si të tjerët jemi shfajësuar nga këto akuza. Unë pres të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi.
Jam intervistuar nga të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Kjo ka qenë e gjitha transparente. Askush nuk duhet ta shkruajë historinë ashtu, unë kam besim në paqe dhe drejtësi”- u shpreh Thaçi.
Lajmi kryesor:
Dita e dytë e Gjyqit në Hagë, ish-komandantët e UÇK njëzëri: Duam të bëhet drejtësi, jemi të pafajshëm! Bashkë do të triumfojmë
B.V//ReportTv.al