Kosova & Rajoni

Thaçi: Marrëveshje me Serbinë brenda 2019, duhet të ulemi edhe me armiqtë

15 Prill 2019, 14:27| Përditesimi: 15 Prill 2019, 14:54

  • Share

Marrëveshja me Serbinë mund të arrihet brenda vitit. Kështu është shprehur Presidenti i Kosovës hashim Thaci në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”.

Sipas Thacit, pavarësisht pengesave, ai është optimist se një marrëveshje zyrtare me Beogradin, për normalizimin e marrëdhënieve është e mundshme brenda vitit 2019.

“Na duhet të ulemi e të bisedojmë edhe me armiqtë tanë të betuar, por pa parakushte, e të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin”, thotë Thaçi.

Presidenti i Kosovës thotë se të gjithë kapitalin e tij politik e ka investuar në arritjen e një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit me Serbinë, ndërsa thekson se një gjë e tillë do të ishte progres për të gjithë rajonin.

“Në rrethanat aktuale, me këto tensione, nuk shoh arsye se përse investitorët e huaj duhet të vijnë dhe të investojnë në rajonin tonë. Vetëm një marrëveshje paqeje do të sjellë prosperitetin e rajonit”, deklaron Thaçi.

Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që prej muajit nëntor, kur Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve që vinin prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Thaçi tha se nuk ka asnjë plan për të hequr taksën, por ritheksoi nevojën për një progres të shpejtë në këtë aspekt.

Kjo do të nënkuptonte marrëveshjen e dytë të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, pas asaj mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?