Temperaturat e larta po thajnë burimet për vaditjen e tokave, teksa fermerëve u rrezikohet prodhimi. Kështu ka ndodhur me Rezervuarin e Kurjanit në Roskovec i cili për çdo ditë po shkon tharjes. Shqetësuese është dhe ngordhja me shumicë e peshkut përreth vijës së bregut të lumit. Për Kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi thatësira e viteve të fundit ka bërë që kapaciteti ujëmbajtës i rezervuarit të ulet në 24 milion metër kub, nga 31 milionë metër kub që ishte dikur.
“Në këtë moment që flasim padyshim që gjendja është kritike sepse edhe thatesira këto tre vite ka bere te veten dhe mbathja e rezervuarit ndër vite ka bërë të veten dhe është ulur niveli mbartës ujëmbajtës për rezervuarin e Kurjanit. Sot nevojat e fermerit janë të shumta për ujitjen dhe ne i kemi njohur Bordit të ujitjes që të menaxhojë atë sasi uji që ka rezervuari për të përmbushur nevojat e fermerëve”, tha Bufi.
Sipas Kryetares së Bashkisë, ky ujëmbledhës prej një viti i ka kaluar në administrim dhe menaxhim Bordit të Kullimit Rajonal Fier –Vlorë, ndërsa thotë që i kanë bërë kërkesë dhe Ministrisë së Bujqësisë për të ndërtuar stacionet e pompimit për të garantuar funksionimin e rezervuarit.
“I kemi bërë kërkesë me shkrim Ministrisë së Bujqësisë që për të shpëtuar nga këto situta të kohës, pra atë të thatsires, të ndërtohen stacionet e pompimit si dikur konkretisht stacionin e Kënetës se Zeze. për të garantuar dhe një mbushje të dyte mekanike me uji për rezervuari e Kurjanit për të përballuar situata si kjo e sotmja”, tha Bufi.
I ndërtuar në vitin 1960 rezervuari i Kurjanit në Roskovec është i dyti në vend, pas atij të Thanës sa i perket kapacitetit ujëmbajtes dhe mbledhes që siguron ujitjen dhe vaditjen e tokave të fermerëve për zonat e bashkitë e Fierit, Roskovecit dhe Patosit.