Liqeni i Fierzës po shkon çdo ditë drejt niveleve kritike, duke rënë me mbi 40 centimetra në ditë vetëm gjatë javës së fundit.
Aktualisht, niveli i ujit ka arritur në 268.28 metra mbi nivelin e detit, nga kuota maksimale prej 296.5 metrash.
Për shkak të mungesës së prurjeve në Drin, rreth 30 metër kub në sekondë, asnjë nga katër turbinat e hidrocentralit nuk është në punë, çka ka sjellë ndalimin e prodhimit të energjisë në HEC-in më të madh të kaskadës.
Rënia e shpejtë e nivelit ka zbuluar bazamentet e dy urave mbi Drinin e Zi, ndërsa liqeni po tërhiqet çdo ditë rreth digës së Fierzës.
Sipas të dhënave, nëse situata vazhdon kështu, rreziku për afrimin me nivelet kritike është i lartë.
“Pika e vdekjes” së HEC-it llogaritet në 242 metra mbi nivelin e detit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po alternon prodhimin me hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërsa nevojat për konsum po mbulohen me import energjie.
Në kapacitetin maksimal, Liqeni i Fierzës mban rreth 2.7 miliardë metër kub ujë, por aktualisht i mungon gati dy e treta e kësaj sasie.
Ditët e thata të fundit të gushtit pritet ta thellojnë më tej krizën hidrike në kaskadën e Drinit.
Komente
