Emmanuel Macron

Bota

Thatësirat dhe lufta në Ukrainë, Macron paralajmëron qytetarët në Francë: Mund të na duhet të sakrifikojmë

24 Gusht 2022, 14:08| Përditesimi: 24 Gusht 2022, 14:11

  • Share

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se francezëve mund t’u duhet të përballen me “sakrifica” për shkak të pasojave nga ndryshimet klimatike dhe paqëndrueshmëria e shkaktuar nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, që sinjalizoi "fundin e bollëkut".

Pas një vere të shënuar nga thatësira, zjarre masive dhe humbje jetësh në Ukrainë, lideri 44-vjeçar mbajti një fjalim të ashpër të mërkurën gjatë mbledhjes së parë të kabinetit pas pushimeve tradicionale të gushtit në vend.

“Besoj se jemi në proces për të jetuar një pike kthese apo përmbysjeje të madhe. Së pari sepse po jetojmë atë që mund të duket si fundi i bollëkut,” tha ai.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Macron theksoi: “Sistemi ynë është i bazuar në lirinë me tëcilën jemi mësuar të jetojmë. Mbrojtja e këtij sistemi mund të kërkojë sakrifica”.

Fjalimi u duk si i projektuar enkas për të përgatitur vendin për dimrin që kemi përpara e që duket se do të jetë i vështirë me çmimet e energjisë duke u rritur ndjeshëm dhe shumë familje që po luftojnë me inflacionin.

Thatësira e madhe gjatë verës që ka çuar në kufizime të ujit në pjesën më të madhe të vendit, ka bërë që shumë francezë të shprehin frikën për efektet gjithnjë e më të dukshme të ndryshimeve klimatike.

Macron u rizgjodh në prill për një mandat të dytë, por humbi shumicën e tij parlamentare në zgjedhjet në qershor, që do të thotë se kryeministrja Elisabeth Borne kryeson një qeveri të pakicës që varet nga partitë opozitare për të miratuar legjislacionin.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?