Por efektet nuk kanë gjasa të zgjasin, shkruan The Economist
Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, nuk vuajtën vetëm ukrainasit. Çmimet e grurit, naftës dhe mallrave të tjera që të dy vendet prodhojnë në sasi të mëdha, u rritën, duke shkaktuar dëme serioze në vendet në zhvillim që mbështeten në importe.
Megjithatë, disa udhëheqës botërorë panë anën pozitive. “Kjo krizë është një mundësi e mirë për ne”, tha në mars, presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro.
Në mënyrë të ngjashme, pak javë më parë, presidenti i Argjentinës, Alberto Fernández, tha se vendi i tij është “një rezervuar i asaj që bota ka nevojë tani: ushqim dhe energji”.
Është e vërtetë se ekonomitë e Amerikës Latine po e përballojnë luftën më mirë se shumë tregje të tjera në zhvillim. Por buxhetet e familjeve në të gjithë rajonin, po goditen nga inflacioni i shkaktuar nga lufta. Kjo tronditje vjen në krye të disa fatkeqësive të fundit. Dhe në një periudhë afatmesme, perspektiva për disa ekonomi të Amerikës Latine, është e pasigurt.
Edhe para luftës, parashikohej se viti 2022 do të sillte shumë shqetësime në botën në zhvillim. Në fillimin e vitit, prodhimi mbeti i dobët, për shkak të prirjeve para pandemike në shumë ekonomi dhe ngarkesat e borxhit qëndruan dukshëm më të larta.
Problemet me zinxhirin e furnizimit dhe rritja e çmimeve ulën konsumin e familjeve, ndërsa rritja e normave të interesit në vendet e pasura, tërhoqi kapitalin nga vendet më të varfra, duke rritur trysninë financiare mbi firmat dhe qeveritë që tashmë po përpiqen të përballojnë kushtet e vështira.
Prodhimi i grurit
Amerika Latine ishte ndër vendet më të trazuara. Në janar, FMN-ja parashikoi se rritja e rajonit në vitin 2022 do të ishte më e ulëta se në çdo rajon në botë. Inflacioni u rrit në Argjentinë dhe në Brazil.
Në raportin më të fundit, FMN-ja uli këtë vit parashikimet për rritjen ekonomike në vendet e pasura, me 0.6 pikë përqindje dhe atë për ekonomitë në zhvillim, me 1 pikë përqindje.
Në këtë sfond, Amerika Latine ka ecur mjaft mirë në tre muajt e fundit apo më shumë. Çmimet e grurit dhe të naftës janë rritur me më shumë se 20% që nga fillimi i luftës.
Ky është një lajm i mirë për Argjentinën, eksportuesin e tretë më të madh të grurit në Amerikë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Çmimet e larta të naftës dhe të gazit po ndihmojnë eksportuesit e hidrokarbureve, si Brazili dhe Kolumbia.
Megjithëse perspektivat janë zbehur për shumicën e vendeve, FMN-ja ka rishikuar parashikimet e rritjes këtë vit për Argjentinën, Brazilin, Perunë dhe Kolumbinë (shih grafikun 1).
Pasojat
Gjetiu në botën në zhvillim, kostot në rritje të ushqimit dhe energjisë kërcënojnë ta kthejnë një situatë të vështirë makroekonomike, në një situatë të tmerrshme.
Në Sri Lanka, shterimi i rezervave valutore të shkaktuara nga rritja e çmimit të importeve të naftës, e detyroi qeverinë të mos paguajë borxhin e jashtëm në prill.
Në të kundërt, në pjesën më të madhe të Amerikës Latine, blerjet e huaja të mallrave të shtrenjta, kanë siguruar një valutë të fortë, duke u mundësuar njerëzve dhe kompanive që të blejnë importe me kushte të mira.
Shumë nga monedhat e rajonit kanë fituar vlerë kundrejt dollarit, në kontrast me pjesën tjetër të botës në zhvillim (shih grafikun 2).
Kjo u ka dhënë politikanëve hapësirë për të mbrojtur qytetarët nga dhimbja e çmimeve të larta të ushqimit dhe energjisë — një luks që nuk e kanë shumë vende të tjera.
Qeveria e Pakistanit, për shembull, po shkurton subvencionet e karburantit në një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur një fat të ngjashëm me atë të Sri Lankës. Por në Meksikë, rritja e parave të fituara nga eksportet e naftës, ul trysninë për të miratuar masa të tilla të dhimbshme.
Qeveritë e Kolumbisë dhe të Kilit po ruajnë subvencionet, ndërsa në Peru, qeveria ka ulur taksën e konsumit për ushqimin dhe energjinë. Në të gjithë Amerikën Latine, politikanët kanë marrë masa me vlerë rreth 0.3% të PBB-së, në përpjekje për të mbrojtur familjet nga efektet e luftës.
Por jo gjithçka është pozitive. Edhe pas rishikimeve, FMN-ja pret që Amerika Latine të rritet më ngadalë këtë vit se çdo pjesë tjetër e botës në zhvillim, përveç Europës Lindore. Brazili, ndoshta, do ta ketë të vështirë të rritet me më shumë se 1% këtë vit, pavarësisht çmimeve të larta të mallrave.
Ushqimi dhe energjia e kushtueshme, megjithëse janë të dobishme për eksportuesit, po nxisin inflacionin. Çmimet e konsumit po rriten me ritme dyshifrore në Kili dhe në Brazil dhe janë mbi objektivat e Bankës Qendrore në ekonomitë e tjera të mëdha të Amerikës Latine.
Bankat qendrore kanë vendosur norma interesi për të parandaluar që rritja e çmimeve të çojë në një humbje më të madhe të besimit ndaj qeverive në lidhje me kontrollin e inflacionit – një rrezik domethënës në një rajon me një histori të luhatjeve të çmimeve. Por normat më të larta gjithashtu ndryjnë investimet dhe rritjen ekonomike.
Kushtet mund të përkeqësohen më tej, nëse inflacioni në ekonomitë e pasura rezulton më i qëndrueshëm se sa pritej, duke i detyruar bankat qendrore të rrisin normat e interesit më shumë nga sa parashikojnë tregjet.
Në vitet 1980, kur Shtetet e Bashkuara luftuan për të mposhtur inflacionin e lartë, pasojat për Amerikën Latine ishin të zymta: një valë krizash borxhi dhe një dekadë e humbur nga ana ekonomike. Politika makroekonomike në të gjithë Amerikën është përmirësuar shumë që atëherë. Por presioni i goditjeve të shumta i ka lënë disa ekonomi të cenueshme.
Rajoni nuk mund ta përballojë dot një krizë tjetër. Amerika Latine pësoi një rënie më të madhe të PBB-së në vitin 2020 se çdo pjesë tjetër e botës. Pandemia rezultoi në investime të harruara, orë të humbura shkollimi dhe rritje më të dobët të produktivitetit.
Kjo ka të ngjarë të frenojë rritjen ekonomike në vitet në vijim; në të vërtetë, FMN-ja llogarit se në vitin 2024, prodhimi në të gjithë Amerikën Latine do të mbetet rreth 5% më i ulët se tendenca parapandemike. Vështirësitë e fundit kanë rënduar më tepër mbi të varfrit.
Në vendet e rrënuara nga pabarazia ekstreme, kosto të tilla të shpërndara në mënyrë të pabarabartë, mund të përkeqësojnë paqëndrueshmërinë politike ose ekstremizmin.
Zgjedhjet në Kolumbi këtë muaj dhe në Brazil në tetor, duket se do të nxjerrin fitues, të cilët nuk janë të aftë për të përballuar sfidat e momentit. Dhe nëse qeveritë mbeten të paafta për të ofruar lehtësim për njerëzit në vështirësi, atëherë zhgënjimi në të gjithë rajonin, vetëm sa do të rritet./ Monitor