The Economist: Ekonomia amerikane ka lënë në hije shtetet e tjera të pasura

10 Nëntor, 20:50| Përditesimi: 10 Nëntor, 20:53

  • Share

Prisni që kjo të vazhdojë, argumentojnë Simon Rabinovitch dhe Henry Curr nga The Economist.

“Nëse vazhdon me politikat dhe ecurinë e tanishme, Shtetet e Bashkuara do të kenë një rritje më të ngadaltë se vendet e tjera kryesore industriale për të ardhmen e parashikueshme”.

Kështu deklaroi Këshilli i Politikave të Konkurrencës, një komitet që këshillonte presidentin dhe Kongresin e Amerikës, në vitin 1992, një kohë kur Amerika ishte e kapluar nga shqetësimet se ekonomia po binte dhe po humbiste terren ndaj Japonisë dhe Europës.

E kundërta doli e vërtetë. Japonia hyri në një periudhë të gjatë stanjacioni, rritja e Europës u ngadalësua dhe Amerika përjetoi një minilulëzim, të nxitur nga rritja e internetit. Më shumë se tri dekada më vonë, disa analistë ende përfytyrojnë një ekonomi amerikane që po shkon drejt rënies. Tani Kina është shqetësimi i ri në Lindje.

Në vend të Bill Clinton, është Donald Trump kandidati për president i cili ankohet për gjendjen e ekonomisë (Trump thotë se ekonomia po “dështon”, ndërsa Clinton e quajti atë një “ekonomi të pakëndshme, e ngecur diku midis Gjermanisë dhe Sri Lankës”).

Amerikanët e zakonshëm janë të shqetësuar. Sondazhi Gallup i pyet rregullisht amerikanët nëse janë të kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat. Nga viti 1980 deri në fillim të viteve 2000, pak më shumë se 40% thanë se ishin të kënaqur. Gjatë dy dekadave të fundit, kjo shifër ka rënë në 25%.

A do të kenë të drejtë këtë herë profetët e rënies ekonomike?

Që nga vitet 1990, ekonomia amerikane ka pësuar trazira të herëpashershme, duke përfshirë krizën e dot-com, krizën globale financiare, një rritje të papunësisë gjatë pandemisë Covid-19 dhe së fundmi, një rritje të inflacionit. Në terma të barazisë së fuqisë blerëse (PPP) pjesa e Amerikës në ekonominë globale është zvogëluar, nga 21% në vitin 1990, në 16% tani.

Por një dukuri ka qenë e vazhdueshme që nga fillimi i viteve 1990: Amerika është rritur më shpejt se shtetet e tjera të mëdha të pasura dhe është rikthyer më fuqishëm nga pengesat gjatë rrugës. Diagnoza e gabuar e këshillit të konkurrencës në vitin 1992, duhet të shërbejë si mësim për pesimistët e sotëm.

Që nga ai parashikim i gabuar, rritja e Amerikës ka qenë më e mirë se shtetet e tjera të pasura, dhe pikat e saj të forta sot janë një arsye e mirë për të qenë optimistë rreth fuqisë dhe potencialit ekonomik të vendit. Arsyeja pse pjesa e Amerikës në PBB-në globale është ulur, nuk ka të bëjë me Amerikën vetë, por me rritjet e dy shteteve më të populluara të botës, Kinës dhe Indisë. Sidoqoftë, prodhimi i Kinës për frymë është ende më pak se një e treta e prodhimit të Amerikës; ai i Indisë është edhe më i vogël.

Edhe më e habitshme është se si Amerika ka tejkaluar homologët e saj të zhvilluar. Në vitin 1990, Amerika përbënte rreth dy të pestat e PBB-së së përgjithshme të vendeve të zhvilluara të grupit G7; sot përbën gjysmën (shih grafikun).

Për person, prodhimi ekonomik amerikan është tani rreth 40% më i lartë se në Europën Perëndimore dhe Kanada, dhe 60% më i lartë se në Japoni. Pagat mesatare në shtetin më të varfër të Amerikës, Misisipi, janë më të larta se pagat mesatare në Britani, Kanada dhe Gjermani. Vrulli i Amerikës është përshpejtuar kohët e fundit. Që nga fillimi i vitit 2020, pak kohë para pandemisë Covid-19, rritja reale e Amerikës ka qenë 10%, sa trefishi i mesatares së vendeve të tjera të G7-s.

Në grupin G20, që përfshin vende të mëdha në zhvillim, Amerika është i vetmi shtet, prodhimi dhe punësimi i të cilit janë mbi pritshmëritë e kohës para pandemisë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërthurrja e kësaj rritjeje ekonomike me fuqinë e Dollarit, përkthehet në peshë për Amerikën dhe pasuri për amerikanët. Kjo mund të vihet re në numrin e madh të amerikanëve që udhëtojnë dhe shpenzojnë shuma rekord jashtë shtetit.

Një dekadë më parë (ndërsa edhe udhëtarët kinezë po shpalosnin pasurinë e tyre), shumë analistë mendonin se Kina do ta kalonte Amerikën si ekonomia më e madhe në botë. Në vend të kësaj, PBB-ja e Kinës ka rënë kohët e fundit, nga rreth 75% e Amerikës në vitin 2021, në 65% tani.

Një arsye pse rritja amerikane ka qenë kaq e fortë për shumë kohë dhe pse mund të pritet të vazhdojë, ka të bëjë me gjeografinë. Si një ekonomi thuajse kontinentale me një treg gjigant konsumi, kompanitë amerikane përfitojnë nga ekonomia e shkallës: me pak fjalë, një ide e mirë e krijuar në Kaliforni ose një produkt i ndërtuar në Miçigan, mund të përhapet në 49 shtete të tjera.

Amerika gjithashtu ka një treg të madh pune të integruar mirë, duke i lejuar njerëzit të marrin punë me paga më të mira, duke i tërhequr punëtorët në sektorë më produktivë. Një kufi jugor i gjatë, mund të shkaktojë polemika politike, por ka qenë një e mirë ekonomike, duke e lejuar fuqinë punëtore të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe ka ndihmuar në plotësimin e punëve të vështira dhe të pista që shumë amerikanë të lindur në vend, nuk kanë interes t’i bëjnë.

Dhe po aq e rëndësishme sa madhësia e vendit, është ajo që fshihet nën të. Gjatë dy dekadave të fundit, përmirësimet në teknikat për nxjerrjen e hidrokarbureve nga shkëmbinjtë argjilorë, dikur të padepërtueshëm, e kanë kthyer Amerikën në prodhuesin më të madh në botë të naftës dhe gazit.

Ekonomia amerikane gjithashtu ka pika të forta që e bëjnë një vend me potencial. Zotërimi i tregjeve më të thella financiare në botë e ka bërë më të lehtë që firmat startup të rrisin kapitalin, një mënyrë më e mirë për të dalë nga terreni, sesa huamarrja e parave të gatshme.

Bollëku i kompanive të reja me potencial, nga ana tjetër, ka rritur efektin joshës të tregjeve amerikane. Në mënyrë të ngjashme, duke qenë se Dollari është monedha mbizotëruese në botë, bizneset amerikane gëzojnë një tregti globale pa fërkime. Dhe Amerika ka universitetet më të mira në botë, të cilat tërheqin studentët më të mirë në botë.

Kanë ndihmuar edhe politikat e reja të ndërmarra. Amerika ka një qasje më të relaksuar se shumë vende të tjera, ndaj ligjeve rregullatore të biznesit. Kjo u ka dhënë kompanive të teknologjisë së lartë hapësirë për të manovruar dhe për t’u rritur. Por suksesi i Amerikës nuk ka të bëjë vetëm me ndërhyrjen e pakët të qeverisë në ekonomi. Zyrtarët kanë bërë ndërhyrje të guximshme dhe të vendosura gjatë krizave.

Pas një fillimi të lëkundur, Amerika dha një përgjigje të fortë ndaj krizës financiare globale të viteve 2007-09, duke vepruar me vendosmëri për të pastruar bilancet bankare dhe duke përdorur në mënyrë të rreptë politikën monetare për të mbështetur rritjen ekonomike.

Përgjigjja e qeverisë ndaj ngadalësimit ekonomik gjatë Covid-19 ishte edhe më e jashtëzakonshme, me një sërë paketash stimuluese fiskale që nuk krahasoheshin me ato të vendeve të tjera. Zyrtarët e tepruan paksa në përpjekjet për rimëkëmbje, duke kontribuar në rritjen globale të inflacionit.

Por është e pamundur të shpjegohet motori i fuqishëm ekonomik i Amerikës, pa pranuar gatishmërinë e qeverisë për të shkelur pedalin e gazit kur është e nevojshme. Sidoqoftë, pavarësisht fuqisë ekonomike, Amerika ka shumë të meta. Një provë kyçe e qeverisjes së çdo vendi është nëse njerëzit e tij jetojnë mirë dhe gjatë. Në këtë pikë, Amerika lë për të dëshiruar.

Në vitin 2023, jetëgjatësia për një amerikan të porsalindur ishte 79 vjeç, tre vjet më e shkurtër se mesatarja në Europën Perëndimore, sipas parashikimeve të OKB-së. Ky hendek nuk ekzistonte në vitin 1980. Është kryesisht reflektim i nivelit të lartë të obezitetit dhe problemeve të mprehta amerikane si droga, armët dhe rrugët e pasigurta. Por amerikanët e moshuar janë në një gjendje më të keqe, edhe në terma relativë. Në vitin 2023, në Amerikë, një 60-vjeçar parashikohej të jetonte mesatarisht edhe 24 vite të tjera, gati një vit më pak se në Europë.

Në vitin 1980, ishte e kundërta; Amerikanët e moshuar jetonin më gjatë se bashkëmoshatarët e tyre europianë, me diferencë prej gati një viti. Shumë kritikë të modelit ekonomik të Amerikës thonë se ai është i mbushur me të meta. Ata ankohen se ka një pabarazi të skajshme dhe se kompanitë gjithnjë e më mbizotëruese shtypin konkurrentët.

Por këto pretendime e fryjnë realitetin. Është e vërtetë se mund të ketë hapësirë për një shpërndarje më të drejtë të pasurisë së vendit pa dëmtuar rritjen e Amerikës, por është i tepruar besimi i përhapur gjerësisht se 1% më i pasur i popullsisë, po i merr të gjitha burimet. Për sa u përket gjigantëve të teknologjisë si Apple dhe Amazon, mbizotërimi i tyre në treg mund të kufizohet nëpërmjet politikave të caktuara, por është gjithashtu e vërtetë se ata kanë krijuar vlera të mëdha në jetën e përditshme dhe kanë shndërruar industritë.

Dhe po përballen me konkurrencë të ashpër për të qëndruar në krye. Këto kompani në fakt janë më tepër një dëshmi e suksesit ekonomik të Amerikës, sesa e problemeve të saj. Në historinë e ekonomisë moderne, performanca prej tre dekadash e Amerikës është e jashtëzakonshme. A mund të vazhdojë? Disa pesimistë vënë në dukje politikat helmuese, deri te dobësitë fiskale. Optimistët lavdërojnë një vend me një dinamizëm të pamëshirshëm që e shtyn atë përpara./Monitor

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?