Përplasja në ndeshjen Serbi-Shqipëri në vitin 2014

Sport
Bota

The Guardian: Ndeshja Shqipëri-Serbi 'ngjall' kujtimet e përplasjes kaotike të vitit 2014, Ismail Morina është 'zhdukur'

7 Qershor, 12:26| Përditesimi: 7 Qershor, 12:33

  • Share

Jashtë një kafeneje tre blloqe larg “Arenës Kombëtare”, dy burra qëndronin mbi karrige dhe montonin pajisje në tendën e lokalit. Dreka e së enjtes sapo kishte kaluar dhe Tirana po përgatitej për një ndeshje që mund të kishte mbushur stadiumin kombëtar të paktën 10 herë më shumë. Nuk ishte e vështirë të identifikoje flamurin shqiptar, shqiponjën e zezë me dy koka që shtrihej në mes. Flamuri i dytë që po vendosej ishte po aq i njohur tashmë. Mbi të shkruhej “Autochtonous”, dhe paraqiste një version të hartës së “Shqipërisë së Madhe”, e cila shndërroi një ndeshje futbolli në një incident diplomatik të rëndë në vitin 2014.

Të premten në mëngjes, ai flamur ishte zëvendësuar me një variant më pak ndezës. Ndoshta autoritetet kishin ndërhyrë me ndonjë këshillë të butë. Ato kërkojnë të eliminojnë çdo nxitës të mundshëm për kaos si ai që shpërtheu në Beograd 11 vite më parë, kur një dron uli imazhin e kontestuar në stadiumin “Partizan” gjatë një kualifikueseje për Kampionatin Europian mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pasojat e asaj nate shkuan përtej sportit, dhe pati një ndjesi lehtësimi kur, në nëntorin pasues, ndeshja e kthimit në qytetin shqiptar të Elbasanit përfundoi pa incidente të mëdha.

Me siguri, të dy federatat e futbollit, ajo shqiptare dhe ajo serbe, i vunë duart në kokë dhjetorin e kaluar, kur shorti i Kupës së Botës 2026 i përballi përsëri. U ngritën vetullat në opinionin publik ndërkombëtar, por nuk kishte asgjë që mund t’i pengonte të përballeshin: pavarësisht një historie të gjatë e të përgjakshme, plagët më të freskëta të së cilës janë nga lufta në Kosovën me shumicë etnike shqiptare, dy kombet nuk janë në konflikt aktiv. Asnjëra nuk kishte kërkuar të shmangte tjetrën. Ishte e pashmangshme që problemi i menaxhimit të marrëdhënieve të tyre rreth një fushe futbolli të rikthehej.

Asnjë burim nuk po kursehet për ta zgjidhur. Rreth 2,000 efektivë policie do të dislokohen për ndeshjen e parë të Grupit K që luhet të shtunën në mbrëmje, përfshirë forcat speciale dhe njësi kundër-terrorizmit. Gjithashtu, burime të ndryshme tregojnë se deri në 500 agjentë civilë do të jenë të shpërndarë mes 22,500 tifozëve. Tifozët serbë do të mungojnë. Pajisje anti-dron janë instaluar në zonën përreth, dhe çdo individ është paralajmëruar se dronët do të rrëzohen nga qielli.

Me gjasë, çdo tentativë për trazira këtë herë do të marrë një formë tjetër; dronët nuk ishin aq të përhapur në jetën publike kur ajo pajisje e vogël solli kaos në Beograd. Por këto masa risjellin kujtimet e Ismail Morinës, operatorit të kranëve me mjekër dhe pamje të padëmshme, i cili mori përgjegjësinë për incidentin e 2014-ës dhe u shpall hero kombëtar. Edhe pse nuk u raportua gjerësisht atëherë, Morina kishte një bashkëpunëtor që prej atëherë ka zgjedhur të mbetet në hije.

Transparenca e Morinës pati koston e saj: ai u arrestua për armëmbajtje pa leje përpara vizitës së Serbisë në vitin 2015, duke e mbajtur larg syve të publikut për ndeshjen. Më pas u burgos në Kroaci dhe Itali, ku ka leje qëndrimi, mbi një urdhër arresti serb të lëshuar nga Interpoli. Ai është rikthyer në stadiumet shqiptare, duke u mbajtur mbi supe në tribunat e “Arenës Kombëtare” gjatë një ndeshjeje ndaj Çekisë në vitin 2023 dhe duke shkëmbyer fanella me golashënuesin Jasir Asani. Kohët e fundit është parë në ndeshje të kampionatit vendas, por në prag të sfidës së së shtunës, llogaritë e tij aktive në rrjetet sociale janë zhdukur. Nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët e dikurshëm e di se ku ndodhet, nuk e thotë. Supozimi është se nuk do të guxojë të afrohet pranë stadiumit këtë herë.

Ai nuk do të jetë i vetmi ultra, i dikurshëm apo i tanishëm, që do të mbahet larg. FSHF-ja nuk ka shitur bileta në bllok për grupet e tifozëve, por i ka shpërndarë përmes shortit mes më shumë se 200 mijë aplikimeve dhe i ka rritur ndjeshëm çmimet. Kjo duket si një përpjekje e qëllimshme për të “dezinfektuar” atmosferën; grupi Tifozat Kuq e Zi, i cili krijon spektaklin më të gjallë në ndeshjet e Kombëtares, reagoi ashpër dhe e quajti një “maskaradë të organizuar” në shërbim të të pasurve. Ata do të organizojnë një mbledhje alternative pranë Piramidës së Tiranës, 400 metra larg stadiumit, ku është dhënë leja për një ekran gjigant. Në tregun e zi, çmimet e biletave kanë kapërcyer vlerën e 1,000 paundëve për vendet më të mira.

Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të jenë bashkë-organizatore të Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027 shton një tjetër dimension. Nëse kjo ndeshje është me rëndësi për Shqipërinë, ka shumë në lojë edhe për UEFA-n. Një marrëveshje kaq ambicioze, e nxitur kryesisht nga presidenti i FSHF-së dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket e paqëndrueshme nëse gjithçka nuk shkon vaj. Tifozat Kuq e Zi i kanë shprehur qëndrimet e tyre ndaj këtij bashkë-organizimi me mjete verbale dhe vizuale, duke ndjerë se kjo ka ndikuar në përjashtimin e tyre.

I vetmi “shqetësim” gjatë stërvitjes së Shqipërisë të enjten në mbrëmje ishin spërkatësit e barit, të aktivizuar me pasion, por aspak të bezdisshëm në një ditë me temperatura rreth 30 gradë Celsius. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Lazios, është i vetmi lojtar në përbërjen aktuale që ishte pjesë e ngjarjes në Beograd. “Nuk duhet të përsërisim imazhet e viteve të kaluara,” tha ai. “Trajneri na ka kërkuar të mos kemi panik për këtë ndeshje. Duhet qetësi dhe ekuilibër emocional.”

Sylvinho, trajneri në fjalë dhe një nga figurat më të dashura në futbollin ndërkombëtar, u pa duke bërë lojëra teknike me stafin e tij, por presioni për të fituar është i madh. E njëjta gjë vlen edhe për trajnerin e Serbisë, Dragan Stojkoviç. Anglia, që plotëson Grupin K me Letoninë dhe Andorrën, konsiderohet si fituese e sigurt e grupit nga të dyja palët. Shqipëria dhe Serbia e dinë që janë duke luftuar për një vend në “playoff” dhe se përballjet mes tyre, përfshirë atë të dytë pas katër muajsh, do të jenë vendimtare.

Në orën 13:40 të së premtes, me orën lokale, lojtarët e Serbisë mbërritën në hotelin e tyre një milje në perëndim të qendrës së Tiranës. Oficerë të armatosur të RENEA-s, forcat antiterror të Shqipërisë, shoqëronin dy autobusët që kishin ardhur nga aeroporti nën eskortë. Hapi i parë i një operacioni që do të zgjasë gjithë fundjavën kaloi pa probleme. Nëse gjithçka mbetet kështu, ndoshta hija e 14 tetorit 2014 do të nisë më në fund të zbehet./The Guardian

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?