Në edicionin e tij të tretë, Gjon Mili International Video Art Festival vjen me një titull sa të thjeshtë, aq edhe provokues për artistët: “The Skin of Light”.
Kjo është një ftesë për të parë dritën jo vetëm si burim ndriçimi, por si një sipërfaqe ku bashkohen kujtesa, perceptimi dhe forma.
“Lëkura e Dritës” është një metaforë për mënyrën se si video arti sfidon kufijtë mes asaj që është reale dhe imagjinatës, mes transparencës dhe maskës. Çdo ekran bëhet një vend ku bashkohen kujtesa dhe ndjenja.
Nga 1230 aplikime nga artistë të ndryshëm në botë, janë zgjedhur 62 artistë që tregojnë po aq shumë mënyra të marrëdhënies së artistit me dritën, shpesh si një lëkurë që pulson midis botës virtuale dhe asaj reale, mes ndjeshmërisë dhe ndërveprimit.
Tre lokacionet e përzgjedhura këtë vit janë: Korçë, 27-29 Gusht 2025.
Festivali nis në Muzeun Gjon Mili në Korçë, aty ku filloi gjithçka. Për tre ditë, ky vend i rëndësishëm kthehet në një hapësirë ku video arti takon kujtesën dhe eksperimentin vizual.
Aty historia dhe arti bashkëjetojnë në lojën e dritës.
Më pas, festivali zhvendoset në Dhërmi, në datat 1-3 Shtator 2025, në një vend ku drita nuk është vetëm ndriçim, por një prekje që rrëshqet mbi forma dhe përthithet nga teksturat e ndërtesave tipike të zonës.
Midis shtëpive të vjetra dhe qiellit të hapur, drita shfaqet si një ndërfaqe mes trupit, kujtesës dhe natyrës.
Festivali përfundon në Manhattan, New York, 28 Shtator - 4 Tetor 2025, vendi ku Gjon Mili arriti famën e tij. Në zemër të New York-ut, programi përfshin një natë për artistët fitues dhe tre ditë me vepra të artistëve të zgjedhur, duke theksuar dritën si diçka të ndjeshme, në lëvizje dhe në ndryshim.
Komente
