Media britanike ‘The Sun’ i ka kushtuar një artikull përplasjeve mes bandave shqiptare. Media britanike ka ‘zbritur’ në Elbasan dhe ka marrë në intervistë kreun e Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazin, i cili ka folur për krimin e organizuar në Shqipëri.
‘The Sun’ thotë se përplasjet mes bandave shqiptare nisin në Mbretërinë e Bashkuar, ku sipas saj kriminelët shqiptarë kanë baza, dhe më pas përfundojnë në ngjarje fatale në Shqipëri.
“Me dy truproja në patrullim të përhershëm jashtë zyrës së tij, kryeprokurori Kreshnik Ajazi përmbledh pse bandat shqiptare të drogës janë kaq të pamëshirshme”, kështu e nis artikullin ‘The Sun’.
“Në Shqipëri kemi një traditë, hakmarrjen”.
Kreshnik Ajazi flet për rrezikun me të cilin përballet teksa lufton bandat kriminale. Media britanike thotë se Ajazi i ka kushtuar jetën shkatërrimit të këtyre bandave, por kjo e ka një çmim të rëndë.
“Kërcënimet për jetën e tij nënkuptojnë se rojet e armatosura nuk i largohen kurrë, 28 kamera sigurie janë vendosur në pjesën e jashtme të ndërtesës së zyrës së tij në qytetin e Elbasanit”, shkruan ‘The Sun’.
Ajazi thotë se mosmarrëveshjet mes bandave lind në Angli, por grupet kriminale hakmerren në vendin tonë. Kur u bë prokuror, Ajazi tregon për median britanike se qëllimi i tij ishte të sfidonte këto banda, duke theksuar se një gjë të tillë e ka bërë, por rreziku është i madh.
“Këto mosmarrëveshje mes bandave janë krijuar në Angli, por hakmarrja ndodh në qytetin tonë. Kur u bëra kryeprokuror, qëllimi im ishte të sfidoja ato banda, gjë që ne e kemi bërë. Kjo do të thotë se unë tani shoqërohem në çdo minutë të jetës sime nga një eskortë speciale nga policia e shtetit, e cila ju tregon se në çfarë lloj rreziku jam. Por ia ka vlejtur", thotë Ajazi.
The Sun thotë se Rreth 1,700 anëtarë të bandave shqiptare janë në Britaninë e Madhe dhe ka më shumë shqiptarë në burgje, më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj.
Në artikull shkruhet gjithashtu se policia po i godet anëtarët e grupeve kriminale dhe trafikantët aty ku u dhemb më shumë, tek xhepat e tyre. Duke pasur parasysh kështu sekuestrimin e automjeteve luksoze të cilat policia e shtetit po i përdor tashmë për patrullim.
Madje, media britanike përmend edhe sekuestrimin e Lamborghinit në Cërrik me vlerë gati 200 mijë paund.
Një zëdhënës i Agjencisë Shqiptare të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara tha për ‘The Sun’: “Ne do të dërgojmë një mesazh se ajo që është fituar nga aktivitetet kriminale në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë do të konfiskohet”.
‘The Sun’ shkruan edhe për rastin e vrasjes së Endrit Alibejt dhe dajës së tij Arben Dylagjeri në Elbasan, të cilët u ekzekutuan me breshëri pas zhdukjes së një ngarkese prej 50 kilogramësh kokainë në Angli.
Po ashtu, edhe ekzekutimin e Arben Lleshit në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj, media britanike e lidh me hakmarrjen për vrasjen e rivalit të tij në Southampton të Anglisë. Sipas saj, pasi Lleshi u ekstradua për të vuajtur dënimin në Peqin, banda kundërshtare kompletoi hakmarrjen duke paguar një vrasës me pagesë.