Keir Starmer dhe Giorgia Meloni

Bota

The Telegraph: Britania e Madhe mund të ndjekë hapat e Melonit! Po shqyrton mundësinë e dërgimit të emigrantëve të dëbuar në Shqipëri ose vende të tjera të Ballkanit

22 Prill, 15:39| Përditesimi: 22 Prill, 17:26

  • Share

Plani i qeverisë britanike për të transferuar azilkërkuesit e dëbuar në "qendra kthimi" jashtë vendit po gjen mbështetje nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Burime brenda qeverisë e kanë përshkruar këtë nismë si një “ndryshim loje”, pas një takimi mes Sekretares së Brendshme britanike Yvette Cooper dhe kreut të UNHCR-së, ku u diskutua mundësia e pagesës ndaj disa vendeve të Ballkanit për të pranuar azilkërkues të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas gazetës britanike The Times, qeveria britanike po shqyrton hapjen e disa qendrave jashtë vendit për azilkërkuesit që nuk fitojnë të drejtën e qëndrimit në Britani. Vendet e propozuara për këtë qëllim janë Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut.

Një dokument i UNHCR-së, i cili përshkruan “nevojën për sisteme efektive të kthimit dhe rolin potencial të qendrave të kthimit”, ka sinjalizuar gatishmërinë e agjencisë për të mbështetur këto përpjekje, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, për sa kohë që ato nuk bien ndesh me politikën e saj për mbrojtjen e refugjatëve.

Britania mund të ndjekë shembullin e Italisë, e cila tashmë ka dy qendra në Shqipëri për përpunimin e azilkërkuesve të kapur në Detin Mesdhe. Marrëveshja mes Romës dhe Tiranës i lejon Italisë të zhvendosë një pjesë të përgjegjësive të saj për menaxhimin e emigracionit.

UNHCR ka theksuar se në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, është thelbësore që të ketë mekanizma monitorimi në këto qendra për të garantuar respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

Një burim pranë qeverisë britanike është shprehur: “Kjo mund të ndryshojë rrënjësisht situatën, pasi do të na sigurojë mbështetje ligjore kundër çdo sfide gjyqësore dhe gjithashtu do të ndihmojë politikisht përballë deputetëve tanë të majtë që kanë rezerva për këtë çështje.”

Një tjetër zyrtar shtoi: “Po punojmë në disa zgjidhje për të luftuar emigracionin e paligjshëm, përfshirë bashkëpunimin me vende të BE-së dhe më gjerë për të çmontuar rrjetet kriminale që përfitojnë nga kalimet me gomone.”

Plani vjen në një kohë kur numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit ka arritur nivele rekord, duke rritur presionin mbi qeverinë për përpunimin e kërkesave për azil. Vetëm të premten, 51 refugjatë u morën nga një anije e Forcës Kufitare dhe u zbarkuan në portin e Doverit, pas një emergjence mjekësore që përfundoi me vdekjen e një migranti.

Sekretari i brendshëm në hije, Chris Philp, kritikoi qeverinë aktuale duke deklaruar: “Ky është një tregues se gjithnjë e më shumë vende po shqyrtojnë idenë e deportimit të emigrantëve të paligjshëm jashtë Evropës. Mbretëria e Bashkuar mund të ishte udhëheqëse me skemën e deportimit drejt Ruandës, por ajo u anulua nga Partia Laburiste përpara se të vihej në zbatim. Tani, në vitin 2025, kemi rekorde të reja të kalimeve të paligjshme.”

Ai shtoi: “Është e qartë se nevojitet një politikë e ashpër deportimi për të frenuar emigracionin e paligjshëm. Edhe UNHCR dhe qeveria e ardhshme gjermane po e kuptojnë këtë. Fatkeqësisht, e vetmja qeveri që po lëviz në drejtim të kundërt është kjo e jona, e udhëhequr nga Keir Starmer, një avokat i të drejtave të njeriut, por i dobët për të vepruar.”/The Telegraph

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?