Rënia e importeve të naftës është thelluar në muajin maj teksa çmimet janë rritur akoma më shumë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, importet e naftës shënuan në muajin maj rreth 44 mijë tonë, nga më shumë se 49 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2021, me rënie 18%. Kjo ishte rënia më e fortë në krahasim me dy muajt paraardhës.
Ndërsa në të gjithë 5 mujorin, importet e naftës shënuan rënie me 6%. Fokusi ishte në tre muajt e fundit për shkak të luftës në Ukrainë. Importet e naftës ishin në rritje të shpejtë para se të niste lufta. Në janar 2022 importet shënuan rritje vjetore me 13 % dhe në shkurt pësuan rënie të shpejtë me 8.4 % pasi nisën sulmet ruse në Ukrainë. Ndërsa në mars importet ranë me 16%, në prill me 12 për qind, dhe në maj u thellua rënia me 17%.
Me fillimin e luftës çmimi i naftës në tregun e brendshëm u rrit me 30 për qind në javën e parë të marsit, duke i kaluar 245 Lekë për litër. Aktualisht çmimi i naftës përcaktohet nga Bordi i Transparencës dhe ditën e premte u vendos çmimi më i lartë që prej fillimit të luftës, 265 Lekë për litër ose rreth 40% më e lartë se, një vit më parë. Megjithatë thuhet se konsumi i naftës në Shqipëri ka treguar se është rezistent ndaj rritjes së çmimeve pasi makina përdoret si mjet i domosdoshëm. Aktorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit të karburanteve është konstatuar më shumë në rrethet kufitare që kanë nisur të furnizohen në vendet fqinje.
Ndonëse Shqipëria është një ndër vendet me çmimet më të larta të naftës, konsumi dhe çmimi kanë ecur paralelisht, për shkak se numri i përdoruesve të automjeteve është rritur gjatë kësaj periudhe. Lufta në Ukrainë ka bërë që qytetarët të përqendrojnë shpenzimet në mallrat jetike ndërsa bie konsumi në produktet jo jetike.